Kryetari i Bashkisë së Tiranës takim me delegacionin e CSU-së në Landin e Bavarisë

02/10/2019 17:14

Kreuzer: “Tirana, një qytet me zhvillim dhe të ardhme të mirë”; Veliaj: “Mirënjohje CSU-së për vendimin për çeljen e negociatave”.

Tirana është një qytet me zhvillim dhe me të ardhme të mirë. Kështu e vlerësoi Tiranën kryetari i Grupit Parlamentar të CSU-së në Landtagun e Bavarisë, Thomas Kreuzer, i cili së bashku me një delegacion parlamentarësh të kësaj force, u prit sot në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Kreuzer falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen, ndërsa theksoi zhvillimin që ka pësuar Tirana dhe mundësitë që ky qytet ka për një të ardhme më të mirë.

“Faleminderit shumë për pritjen e ngrohtë. Tirana është një qytet me shumë të rinj,Tirana është një qytet me zhvillim të mirë, me shumë shanse dhe me të ardhme të mirë. Ju urojmë më të mirën ju dhe qytetit”, tha kreu i Grupit Parlamentar të CSU-së në Landtagun e Bavarisë, Thomas Kreuzer.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shprehu miqve nga Bavaria mirëseardhjen dhe i falenderoi ata për mbështetjen që CSU i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit dhe sidomos për vendimin për çeljen e negociatave. “Jam shumë i lumtur që kemi pritur një delegacion fantastik nga Bavaria i CSU, një parti e cila ishte kyç në vendimin që Shqipërisë t’i hapen negociatat në BE, ndaj ishte një moment për të treguar falenderim dhe mirënjohje, një mundësi fantastike për të eksploruar pak si po zhvillohemi”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai theksoi se me vendimin e 29 shtatorit, Bundestagu i dha një mundësi shqiptarëve që të tregojnë se janë vërtetë perëndimor dhe i përkasin familjes së madhe të BE-së duke ndërtuar dhe zhvilluar vendin e tyre. “Ndryshe janë gjërat në burokraci, kur ti lexon letra, ndryshe është kur vjen në terren e shikon realitetin.

Delegacioni po bën një tur në Ballkan, nga Kosova, tani në Shqipëri dhe më pas edhe në vende të tjera, por jam vërtet mirënjohës dhe në emër të qytetarëve të Tiranës, dua të falenderoj delegacionin e CSU që na dha një shans ta provojmë veten si një vend potencial për të qenë anëtar i BE dhe si një hapësirë evropiane që po mundohemi me shumë pasion të ndërtojmë këtu në Tiranë”, u shpreh Veliaj.

Pjesë e delegacionit ishin edhe shumë politikanë të rëndësishëm të kësaj force politike në Landin e Bavarisë, si Prof. Dr. Winfried Bausback, Alexander König, Tobias Reiß dhe Tanja Schorer-Dremel, të katërt nënkryetarë të Grupit Parlamentar të CSU-së na Landtagun e këtij rajoni. Gjithashtu, pjesëmarrës ishin edhe Josef Widmann, Drejtor Ekzekutiv i Grupit Parlamentar dhe Markus Merk, Zv. Drejtor Ekzekutiv i Grupit Parlamentar.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA