Interit i duhen edhe dhjetë pikë, ka një kalendar të favorshëm dhe Sudetto tashmë është shumë pranë
Plot 488 artistë japonezë të filmave të animuar nënshkruan një peticion në vitin 1994, kur “Mbreti Luan” i “Disney-t”, një nga filmat e tyre më të suksesshëm, u hodh në treg në të gjithë botën.
Arsyeja ishte për ngjashmërinë e stërmadhe që Simba i filmit amerikan kishte me “Kimban” japonez, një përrallë që fillimisht u krijua që në vitet ’50, në libra me figura, e që në vitet ’60 u përshtat si serial nga prodhuesit japonezë, e madje u transmetua edhe në SHBA, Kanada e vende të tjera perëndimore, mbi 50 vite më parë.
Artistët e “Disney-t” thanë se për Kimban dëgjuan vetëm pasi prodhimi i filmit të tyre kishte përfunduar, dhe se më përpara nuk e dinin çfarë ishte. Por kjo mbetet e vështirë për t’u besuar, pasi ngjashmëritë jo vetëm që janë shumë të mëdha, por artisti i “Mbretit Luan” ka jetuar në Japoni në vitet ’80, kur Tezuka, krijuesi i “Kimbas”, njihej si “Disney” i Japonisë, dhe seriali është ritransmetuar e ripunuar në ato vite.
Siç shihet nga fotot më poshtë, ngjashmëritë janë vërtet shumë të mëdha për t’u shpërfillur. Jo vetëm te vizatimet, personazhet, por edhe te detajet e ngjarjeve. Edhe pse historitë që zhvillohen janë ndryshe, ashtu si Simba, edhe Kimba shihte të atin t’i shfaqej në qiell dhe mes reve. Personazhet e tjera, që nga Skari i lig, hienat mendjelehta, majmuni i mençur, papagalli ndihmës, e deri te skena në humnerë, kanë ngjashmëri me versionet japoneze të viteve para se të prodhohej filmi amerikan.
“Mbreti Luan” është një nga ikonat e “Disney-t” dhe ka vendosur rekorde për fitime, si herën e parë, në vitin 1994, ashtu edhe tani me versionin e vitit 2019. Vetëm versioni i fundit i kaloi 1 miliardë dollarët në shitje biletash nga kinematë botërore, ndërsa versioni i parë mblodhi 968 milionë vetëm nga kinematë. Artistët japonezë kanë kërkuar që “Disney” të paktën ta pranojë frymëzimin nga versioni i tyre, pasi “Tezuka”, krijuesi i Kimbas, konsiderohet ikonë dhe pasuri kombëtare.
Top Channel