Festivali i Woodstock/ Nisin festimet e 50-vjetorit

16/08/2019 21:47

Në 50 vjetorin e festivalit të Woodstokut, festimet kanë filluar. Hipi tashmë në moshë të thyer, dhe të rinj që adhurojnë epokën, janë zhytur në shpirtin e Woodstockut në ditën e parë të festimeve për përvjetorin e festivalit legjendar.

Ka nga ata që 50 vite më parë, ishin ngjitur pa hezituar mbi makinë dhe i ishin drejtuar vendit ku do të mbahej festivali. Les Poinelli është një prej tyre dhe në atë festival ai kish takuar edhe bashkëshorten e tij të ardhshme.

Sot, ai është rikthyer në qytetin e Bethelit, afër Nju Jorkut, vendin ku jeta e tij kish ndryshuar përgjithnjë, duke iu bashkuar hipive të asaj kohe, tashmë në moshë të thyer, që kujtojnë dhe nderojnë erën e artë të paqes, dashurisë dhe muzikës.

“Nuk mund të bëje ndryshe veçse të entuziazmoheshe nga turma, nga bujaria e njerëzve’, tha një burrë.

Asokohe vetëm 19 vjeçar, Poinelli kujton legjendat e rrokut që ngjiteshin në skenë, mes tyre Jimi Hendrix, Janis Joplin dhe Santana, që performonin para rreth gjysmë milioni të rinjsh. E pasi kish kaluar fundjavën me të dashurën e tij të re, Gail, adoleshentët ishin ndarë ndërsa në sfond kishin Joe Cocker.

“I dhashë asaj një të puthur në faqe dhe u ndamë’, tha ai.

Dy vite më pas, u martuan dhe patën pesë fëmijë dhe 12 nipër e mbesa. Para rikthimit në Bethel, për të marrë pjesë në festimet e këtij përvjetori, Poinelli vizitoi varrin e të shoqes, që vdiq në 2016. “Nga Woodstocku në përjetësi” – shkruhet në gurin mbi varr.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA