Maya Angelou
Në këtë libër autobiografik, autorja e njohur rrëfen marrëdhënien më kuptimplotë të jetës së saj: atë me të ëmën. Për herë të parë, Angelou zbulon vështirësitë dhe gëzimet e të qenit bija e Vivian Baxter-it, një shpirt i paepur në një trup të vogël.

Trup imcak, që maskon praninë gjithëpërfshirëse, por të munguar, të nënës gjatë fëmijërisë së shkrimtares. Kur martesa e saj filloi të shkërmoqej, Vivian Baxter-i i dërgoi dy fëmijët (djalin e madh dhe Maya-n trevjeçare) tek e vjehrra, në Arkansas. Ndjenja e braktisjes, pasojë e kësaj ndarjeje të dhimbshme, do ta shoqëronte gjatë Angelou-n. Dhjetë vjet më vonë, bashkimi i tyre do të shënonte pikënisjen e një historie të parrëfyer më parë. Sikur të mos mjaftonte ajo traumë e parë, jeta e saj do të karakterizohej nga një luhatje e atillë fatesh, sa të paktë do të ishin ata që do të kishin arritur të mbijetonin, e akoma më të rrallë ata që do të gjenin suksesin dhe famën ndërkombëtare. Në këtë rrëfim të fundit, të botuar vetëm një vit para se të ndërronte jetë, Angelou na paraqet një ndër marrëdhëniet më të gjalla, shpërblyese dhe të ndërlikuara të jetës së saj. “Mami, unë dhe mami” zbulon shërimin e plotë, të bazuar në dashuri, kohë dhe energji, por që në fund i dha autores forcën dhe kurajën për t’u ngritur nga thellësi të pamata në lartësi të pamundura.

 Kritika

Mami, unë dhe mami shfaqet me humorin karakteristik dhe optimizmin krenar të

autores Maya Angelou. Nëse vini re ndopak zemërim midis rreshtave, në

mbeten pa u zbuluar të gjitha hollësitë e hidhura, kjo ndodh sepse Angelou di

të falë. Ky libër tërheqës rrëfen më së miri historinë e një pajtimi njerëzor.

 The Washington Post

Duke risjellë në kujtesë këtë marrëdhënie të koklavitur, autorja zbërthen për

herë të parë rrugëtimin nënë-bijë drejt pajtimit, lidhjes së fortë dhe ndihmës…

Angelou portretizon gjallërisht një grua me shpirt të fortë. Një kronikë e

mrekullueshme dhe thellësisht domethënëse e dhembshurisë dhe e ripërtëritjes.

 Booklist

Dashuria dhe mësimet e paraqitura në këtë roman do t’u flasin atyre që po

përpiqen të gjejnë udhën e vet në botë.

 Publishers Weekly

‘Mami, unë dhe mami’ është historia prekëse e një ndarjeje dhe e një bashkimi, si

dhe portreti optimist i mëmësisë. Me gjithë traumat e rrëfyera këtu, dashuria e

nënës ndaj bijës mund të përmblidhej në një rresht: “Shpirt, e kam menduar

gjatë dhe tani jam e sigurt. Ti je gruaja më e shkëlqyer që kam njohur në jetë.”

 The Independent

Prekës… një portret i jashtëzakonshëm i dy shpirtrave guximtarë.

 – People

 Vepra e fundit, dhe më e fuqishme, e serisë së autobiografive të saj… një vepër kokëfortë dhe zemërbutë që i shtohet krijimtarisë mbresëlënëse të Angelou-së.

 Elle

Hipnotizuese… Angelou ka ende aftësinë të na habisë me qasjen e saj ndaj fjalëve dhe, kur gjen të ëmën si subjekt, ajo ka gjetur si muzë pothuajse të përkryer, një grua të mistershme.

Essence

Si gjithmonë, shkrimi i Angelou-së prek drejtpërsëdrejti aty ku dhemb, i ngjeshur dhe i thjeshtë, dhe në sfond na shfaqet një lëmim i rremë, shkulme dhe breshëri lirike midis çastesh ligësie… Një memuar për jetën me të ëmën, i kopsitur mirë, me një melodi të tijën.

 Kirkus Reviews

Me një stil të drejtpërdrejtë, “Mami, unë dhe mami” thellohet në marrëdhënien e koklavitur të autores me të ëmën… Në moshën 84-vjeçare, Angelou nuk duket se po e ngadalëson ritmin.

 Book Page

 Autorja

Maya Angelou (lindur Marguerite Annie Johnson, 4 prill 1928 – 28 maj 2014), ishte poete, këngëtare, shkrimtare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Me më shumë se 50 vjet veprimtari krijuese mbi shpinë, ajo është autore e shtatë librave autobiografikë, tri përmbledhjeve me ese, disa përmbledhjeve me poezi dhe e një sërë veprash teatrale, filmash dhe programesh televizive. Ka marrë dhjetra çmime e mbi 50 diploma honoris causa. Ajo njihet kryesisht për shtatë autobiografitë, të cilat rrëfejnë fëmijërinë dhe adoleshencën e saj. Romani i parë, I know why the caged bird sings (1969), është ndoshta ai që i dha edhe famë ndërkombëtare; ky libër do të vijë së shpejti në shqip nga Botimet Pegi. Me botimin e kësaj autobiografie, Angelou shfaqi publikisht një sërë aspektesh tejet personale të jetës së saj. Me kalimin e kohës, ajo u bë zëdhënëse e njerëzve me ngjyrë dhe e grave në ShBA. Ndonëse janë bërë përpjekje të herëpashershme për të bllokuar qarkullimin e librave të saj në librari dhe biblioteka, veprat e saj studiohen gjerësisht në shkolla dhe në universitete, në të gjithë botën. Në lidhje me kategorizimin e prozës së saj, kritikët letrarë kanë mendime të ndryshme; disa e quajnë autobiografi të mirëfilltë, ndërsa të tjerë e konsiderojnë krijimtari letrare, që ka marrë shkas nga jeta e saj personale. Në fakt, veprat e saj duket se përfaqësojnë një përpjekje të ndërgjegjshme për të sfiduar strukturën e zakonshme të autobiografive, duke e kritikuar, ndryshuar dhe zgjeruar këtë zhanër.

Fragmente nga libri

1) Dashuria të shëron. Të shëron dhe të çliron. Them “dashuri” jo në kuptimin sentimental të fjalës, por për atë gjendje aq të fortë, sa mund të jetë bash ajo që i mban yjet të fiksuar atje lart në qiell dhe e bën gjakun të rrjedhë rregullisht ndër vena.

2) Unë do të kujdesem për ty dhe për këdo që ti thua se ka nevojë për përkujdesje, në çfarëdo forme të thuash ti. Jam këtu. Kam ardhur tek ti me gjithçka kam. Jam nëna jote.

3) Një grua duhet të jetë e zonja e vetes përpara se t’i kërkojë dikujt tjetër ta mbështesë.

4) Nëna nuk është e rëndësishme sepse e ushqen, e do, e përkëdhel apo e llaston fëmijën, por sepse në një mënyrë interesante e ndoshta disi të frikshme dhe përrallore, ajo i del për zot. Ajo gjendet ndërmjet të njohurës e të panjohurës.

5) Ime ëmë më ka dhënë kurajë në doza të mëdha e të vogla. Këto të fundit janë ndërthurur aq mjeshtërisht me psikikën time, saqë nuk jam fort në gjendje të dalloj ku mbaron ajo e ku filloj unë.

6) Dua që të mësoni se asgjë nuk fitohet pa punë. Ama, nëse pandehni se mund të arrini diçka pa bërë asgjë, pikërisht atëherë do t’jua hedhin.

7) Mos bëj asgjë që të duket e gabuar. Bëj vetëm atë që të duket e drejtë, dhe ji e gatshme t’i dalësh për zot asaj që bën edhe sikur të të kushtojë jetën.

8) Unë të dua dhe jam krenare për ty. Me këto dy gjëra, ti mund të arrish ku të duash e çfarë të duash.

9) Nganjëherë, i vëmë njerëzit në piedestal në mënyrë që t’i shohim më qartë e t’i hedhim më lehtë poshtë.

10) Të jap fjalën se nuk do të të lë më kurrë. Nëse iki, kur të iki, kudo që të shkoj, do të vish edhe ti me mua, përndryshe nuk kam për të ikur.

Skeda e librit

Titulli: Mami, unë dhe mami

Titulli në origjinal: Mom & me & mom

Autori: Maya Angelou

Përktheu: Jerina Dushku

Zhanri: Roman autobiografik

Data e botimit: Qershor, 2019

Numri i faqeve: 178

Çmimi: 800 lekë

Koleksioni Lotus

Top Channel