Pavarësisht tensioneve që shoqëruan të martën, ceremoninë e konstituimit të këshillit bashkiak të Kavajës dhe betimin e kryebashkiakut të ri Redjan Krali, e mërkura ka qenë një ditë e zakonshme pune në bashki.

Në ambientet jashtë dhe brenda Bashkisë Kavajë, situata ka qenë e qetë, po efektiva të policisë së rendit kanë qëndruar gjatë të gjithë kohës në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo të papriture të mundshme.

Punonjësit e administratës së bashkisë, me përjashtim të drejtuesve të departamenteve që kanë marrë lejen vjetore, janë paraqitur në vendet e tyre të punës, duke ofruar shërbim për qytetarët që nga ana e tyre ndajnë qëndrime të ndryshme për situatën e krijuar një ditë më parë në qytetin e tyre.
Kalimi i pushtetit nga njëri kryebashkiak te tjetri, ishte i qetë.

Kryebashkiaku Redjan Krali thotë se asnjë specialist nuk duhet të ndjehet i rrezikuar për vendin e punës.

“Një ditë shumë e qetë. Do të ruaj të njëjtën administratë. Specialistët nuk kanë pse të kenë frikë. Është bërë inventari dhe dorëzimi i qetë i vulës dhe dokumentacioneve nga stafi i afërt i kryetarit të mëparshëm”, tha Krali.

Pastrimi, gjelbërimi dhe përmirësimi e mirëmbajtja e infrastrukturës që ka nën administrim bashkia e Kavajës do të jenë përparësi e kryebashkiakut të ri.

Ndërsa për qytetarët, Kavaja ka nevojë për vende pune, shërbime dhe njerëz të pakorruptuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA