Lufta kundër informalitetit prej disa ditësh është rikthyer përsëri në fokusin e qeverisë, pas aksionit që u shtri në të gjithë vendin në 2015-ën. Edhe këtë herë, informaliteti po luftohet në të 12 qarqet, ku vëmendja është përqendruar tek turizmi, ndërtimi, hidrokarburet, mallrat e akzusës si dhe krimet mjedisore.

Në një deklaratë për media, shefi i krimit ekonomik në policinë e shtetit, Lufti Minxhozi tha se janë kontrolluar 801 subjekte, ku janë konstatuar një sërë shkeljesh.

“Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar 89 subjekte në shkelje të ligjit dhe të gjithë përfaqësuesit e tyre janë proceduar penalisht për veprat penale: fshehja e të ardhurave, mos lëshim i kuptonit tatimor, ushtrim aktiviteti tregtar i paligjshëm, mospagim i taksave dhe i tatimeve, ndërtim i paligjshëm etj., të cilat ndiqen në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore përkatëse”, shprehet Minxhozi.

Si pasojë e kontrolleve ka pasur procedime penale si dhe arrestime në radhët e zyrtarëve lokalë, mes tyre edhe kryetari i njësisë administrative Dëmenas në Fier, Dilaver Shyti.

“Janë proceduar penalisht 30 zyrtarë të administratës për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nga të cilët: 23 nëpunës të bashkive; 3 nëpunës të sistemit fiskal; 4 nëpunës të Drejtorive Rajonale të Punësimit.Nga nëpunësit e proceduar penalisht, 5 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, konkretisht: Kryetari i një Njësie Administrative, Bashkia Fier; 4 punonjës të Tatim-Taksave, në Bashkinë Shkodër”, shton më tej Mixhozi.

Dy javë më parë ishte kryeministri Rama ai i cili do të kthente vëmendjen tek informaliteti. Në një prej postimeve në “Facebook”, ai shkruan:

“STOP INFORMALITETIT. Prej thuajse një viti jemi përpjekur me qasjen sensibilizuese, informuese, këshilluese të biznesit në raport me detyrimet tatimore, duke minimizuar qasjen ndëshkimore. Tani boll me konkurrencën e paligjshme dhe me hilet në kurriz të konsumatorit! KOHA QE KUSH NUK JEP KUPON, NUK REGJISTRON DHE NUK FATURON TE BLLOKOHET LIGJËRISHT”.

Top Channel