Ora 19:00 shënon përfundimin e procesit të votimit për 61 bashkitë në të gjithë vendin. Procesi që prej mëngjesit ka qenë i qetë, me disa incidente të vogla, ndërkohë që edhe pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e ulët.
Nga bashkia e Kavajës erdhi raportimi i parë për mbylljen e qendrave të votimit rreth 15 minuta përpara orarit zyrtar.
Ndërkohë në Sarandë, gazetari i Top Channel, Artur Bibe raporton se procesi i votimit është shtyrë me 30 minuta.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00, pjesëmarrja në votime në të gjithë Shqipërinë ka qenë 15.5%, ndërkohë që të dhënat për orën 19:00 pritet të bëhen publike pas pak minutash.
Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku tha në emisionin ‘Open’ se pjesëmarrja në votime ka arritur në 22-23%, që, sipas tij, nuk është një shifër e vogël duke patur parasysh se pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në Shqipëri është mesatarisht në 42-45%.
Zyrtarë të Partisë Demokratike e kanë konsideruar procesin e sotëm si të dështuar dhe flasin për një pjesëmarrje shumë më të ulët se nga ajo që raporton KQZ, e cila është vënë në dyshim edhe nga vetë kryetari i këtij institucioni, Klement Zguri.
Nga Partia Socialiste nuk ka patur deri më tani asnjë reagim zyrtar për procesin.
Top Channel