31-vjeçari Lee Thompson arriti të shkrepte një ‘selfie’ të çmendur në majën e statujës 30 metra të lartë “Krishti shpëtimtar”, në Rio de Zhanerio të Brazilit. Një vend shumë i ngushtë, e ku mjaftonte një gabim i vogël, për të rrezikuar praktikisht jetën.

Por Thompsoni ishte mjaft i kënaqur që arriti ta bindë bordin e turistëve të Brazilit t’ia jepnin lejen për të tentuar ngjitjen e rrezikshme në monumentin e shenjtë fetar. Statuja është kthyer në një magnet të vërtetë për adhuruesit e selfie-t: jo të gjithë e kanë guximin e Thompsonit, megjithatë zona në këmbë të saj gëlon nga vendas e të huaj, të cilët mezi presin të shkrepin foto me në sfond panoramën piktoreske të gjirit Guanabara.

“Unë i adhuroj selfie-t, ato janë një rrëfim: tregojnë një moment të bukur me familjen, një çast të kaluar në vende të mrekullueshme si ky, dëshmia e momenteve të veçanta që përjetojmë dhe që na çojnë në vende ku ndihemi mirë”, tha  Daniela Lemes.

“Është  një mënyrë shumë e mirë për t’i thjeshtuar gjërat, sepse nuk të duhet të kesh patjetër dikë pranë për të shkrepur një foto; kur e bën vetë gjen këndin e përshtatshëm dhe atë që duket më bukur; mendoj se selfie-t janë një nga shpikjet më të mira që janë bërë ndonjëherë!”,  tha  Aline Marie , make-up artist.

Brazili është një vend i çmendur pas selfie-t, por nuk është i vetmi. Në të gjithë globin kjo lloj kulture po rritet dita-ditës; mediet sociale janë të mbytura me foto dhe atraksionet turistike, mbushen me njerëz që duan ta përjetësojnë në këtë mënyrë qëndrimin e tyre. Në disa raste, shkrepja perfekt ka rezultuar fatale, sepse hobi ka shkuar më larg se ç’duhej; për personat e famshëm, ajo konsiderohet një rrugë më shumë  për të bërë para, ndërsa për turistin e zakonshëm, është thjesht dëshira për të pasur një kujtim.

 

Top Channel