Së fundmi, preh e vjedhjeve kanë rënë edhe objektet e kultit. Në vetëm një javë, dy kisha në Durrës, ajo ortodokse dhe ajo katolike janë vjedhur. Hajdutët kanë marrë para duke dëmtuar arkat e besimtarëve dhe ato të qirinjve.

Hajdutët nuk kanë frikë nga zoti. Të dielën e kaluar, në festën e Rrëshajeve, kisha katolike e Shën Dominikut në Durrës, u vodh nga një person.

Kamerat e sigurisë së kishës, kanë kapur momentin kur hajduti del nga kisha dhe ecën qetësisht në oborr mbas vjedhjes. Ai zgjodhi këtë ditë sepse për festa besimtarët tregohen bujare me donacionet.

Edhe kisha ortodokse e Apostull Pavlit dhe Shën Astit”, ra preh e vjedhjes. Për të hyrë brenda, hajduti ka thyer xhamat e njërës prej hyrjeve të kishës, duke dëmtuar edhe bravat e saj.

Ai ka marrë paratë që besimtarët hedhin në arkë, e më pas e ka rrëzuar atë.

Njoftimet për vjedhjen, të dyja kishat në Durrës i kanë bërë publike nëpërmjet Facebookut, të cilat i kanë shoqëruar edhe me shprehje nga librat fetarë, të tilla si: Të vjedhësh është mëkat, e aq më shumë kur vjedh në kishë, si dhe “Fali, o Atë, se nuk dinë se ç’bëjnë”.

Por kishat nuk janë të vetmet objekte kulti që janë vjedhur. Këto janë pamjet se si një 23 vjeçar me emrin Pablo nga Maliqi vidhte xhaminë e Mirahorit në Korçë.

Lidhur me vjedhjet e dy kishave në Durrës, burime për Top Channel, thanë se policia ka disa persona si autorë të dyshuar. Ndërkaq, materialet i kanë kaluar prokurorisë së Durrësit dhe po punohet për identifikimin e personave që vodhën.

Top Channel