“Shqiptarët në një shtet”, Thaçi kërkon deklaratë të përbashkët të parlamenteve

27/05/2019 19:10

Nga Hasi i Krumës ku mori titullin qytetar nderi, dy ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, foli për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm.

Sot, ai e ka çuar akoma më tej këtë ide, duke thënë se zgjidhja më e mirë është që Parlamenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të dalin me deklarata për të jetuar në një shtet të përbashkët, pa kufij.

“Po krijohen edhe rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që të dy parlamentet ai i Kosovës dhe Shqipërisë të nxjerrin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij”, tha Thaçi.

Këto komente Thaci i ka bëri gjatë një fjalimi në njëzetvjetorin e operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik. Pas idesë për korrigjimin e kufijve, sipas së cilës tri komunat në Serbinë jugore, Presheva, Bujanoci e Medvegja do t’i bashkoheshin Kosovës, presidenti Hashim Thaçi tani po i mëshon fort idesë së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Sipas tij, ku bashkim mund të bëhet nën “ombrellën e Bashkimit Evropian” apo të bashkimit “nën ombrellën shqiptare” të dy vendeve në një territor të vetëm. Sipas tij, është më e lehtë të realizohet kjo ëndërr, pra që të ketë një shtet të përbashkët Kosovë-Shqipëri, sesa c’ka qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova.

Këto deklarata për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, vijnë në kohën kur Kosova dhe Serbia po përgatiten për takimin e radhës më 1 korrik, në Paris, i cili pritet të mbahet me ndërmjetësimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Anglela Merkel.

Takimi i 1 korrikut në Paris, është vazhdimësi e procesit të Berlinit të iniciuar nga kancelarja Merkel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA