Bindjes Demokratike po i rezultojnë kandidatët “të pabindur”. Kur na ndajnë pothuajse 40 ditë nga data e zgjedhjeve, 3 kandidatë kanë dorëzuar zyrtarisht tërheqjen nga gara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
I pari që u pendua është Dejvis Hebibasi, i cili do të rivalizonte në Skrapar kandidatin e PS Adriatik Mema. Vetë kandidati nuk dha shpjegime as për publikun dhe as për partinë, e cila lajmëroi se ai u tërhoq për shkak të kërcënimeve.
Por, telashet për partinë e Astrit Patozit, duket se nuk kanë fund. Bledar Sinalla kandidat i Bindjes për Kavajën njoftoi se tërhiqet nga gara pasi mbështet kauzën e opozitës për të mos u bërë pjesë e zgjedhjeve farsë.
“Në media jam njohur me faktin se Bindja Demokratike e ka depozituar kandidaturën time në KQZ. Zgjedhjet janë të vërteta, kur ka garë reale. Rruga e duhur për Kavajën dhe Shqipërinë dhe jo zgjedhjet fasadë”, shprehet Bledar Sinella, kandidat i Bindjes Demokratike në Kavajë.
Mëndje ndryshoi edhe kandidati i Lezhës, Salvador Kacaj, i cili në studion e Top Talk, pohoi se heq dorë nga gara, nën siglën e Bindjes, besimplotë për vijimin e garës, nën siglën e PD-së.
Unë jam i propozuar nga të gjitha strukturat e PD si kandidat e kryetar i Bashkisë Lezhë. Mendoj se gabimin e vogël e korrigjova menjëherë dhe besoj do jem pjesë dhe jam pjesë e garës për Bashkinë e Lezhës” deklaroi në studion e Top Talk-ut, Salvador Kacaj, kandidat i Bindjes Demokratike në Lezhë.
Në pak rrjeshta, Astrit Patozi, përmblodhi arsyet sipas tij se pse kandidatët e “Bindjes”, krejt papritur po kthehen në të “të pabindur”.
“Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë. Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi”, ka shkruar Astrit Patozi, koordinator i Bindjes Demokratike
Top Channel