Mazhoranca është duke zvarritur miratimin e ligjit që ndalon ofertat e pakërkuara të koncesioneve nga data 1 korrik e këtij viti.

Pas presionit të fortë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe këmbënguljes nga Ministria e Financave, në janar të këtij viti qeveria i dërgoi Parlamentit një draft, i cili u jepte fund koncesioneve të pakërkuara dhe shpërblimit me bonus të kompanive që bëjnë ofertat.

Projekligji u votua sipas kalendarit të parashikuar në të dyja komisionet përgjegjëse, atë të Ekonomisë dhe Veprimtarive Prodhuese. Më konkretisht, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese e miratoi më 25 shkurt, ndërsa ai i Ekonomisë dhe Financave e votoi draftin në datën 26 shkurt.

Pas votimit në dy komisionet përgjegjëse, administrata e Kuvendit e përfshiu projektligjin në kalendarin e punimeve të Parlamentit për miratim në seancë plenare. Sipas kalendarit, fillimisht drafti u parashikua të votohej më 5 mars, e më pas më 28 mars, siç tregojnë dy dokumente zyrtare. Por, si në datën 5, ashtu dhe më 28 mars, drafti është tërhequr në minutat e fundit nga rendi i ditës.

Që pas 28 marsit, projektligji i miratuar në dy komisione parlamentare, tashmë prej 4 muajsh, nuk është përfshirë më në kalendarin e punimeve të Kuvendit.

Zyrtarisht qeveria nuk ka dhënë asnjë arsye se përse nuk po e miraton ligjin që ndalon koncesionet e pakërkuara. Por, burime konfidenciale brenda grupit parlamentar të mazhorancës i thanë Top Channel se zvarritja nuk është e rastësishme dhe se pas saj mund të qëndrojnë projekte të tjera koncesionare.

Edhe pse kryeministri Edi Rama pati deklaruar publikisht ndalimin e ofertave të pakërkuara nga data 1 korrik, gjasat janë që ligji të zvarritet duke i lënë sërish qeverisë hapësirën të japë koncesione të pakërkuara.

Top Channel