Kujdes me Ballkanin Perëndimor! Siç tregoi Samiti i Berlinit, udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë kuptuan se duhet të përqendrohen për të gjetur zgjidhje reale ndaj problemeve të Ballkanit Perëndimor.

Vizioni i një “Europe të plotë, të lirë e në paqe”, ka një qoshe të pambaruar, të cilën e quajmë “Ballkan Perëndimor”, e që më parë quhej Jugosllavi, para se të shpërbëhej e të shpërthente në luftë, pastrime etnike e gjenocide. Vendet e zonës, Bosnja, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, janë të heshtura, por është një qetësi e gënjeshtërt. Rajoni është në telashe, të cilat mund të përhapen në të gjithë Europën e të ndikojnë edhe interesat dhe sigurinë e SHBA-ve.

Problemet më të vështira janë marrëdhëniet midis Serbisë dhe ish provincës, Kosovës; si dhe konflikti brenda Bosnje-Herzegovinës në lidhje me identitetin dhe mbijetesën e shtetit. Të dyja i kanë rrënjët që nga koha e luftës, dhe të dyja ngrenë pyetje thelbësore identiteti me lidhje të forta emocionale.

Këto probleme janë si kocka të thyera që janë ngjitur me nxitim dhe janë shëruar gabim. Ato ndikojnë gjithçka dhe do të vazhdojnë të shkaktojnë telashe – telashe që sërish arrijnë në nivelin e një krize. Përpos këtyre çështjeve, i gjithë rajoni vuan nga korrupsioni, fuqia e dobët e shtetit, si dhe qeverisja klienteliste, në vend të rendit ligjor.

PO ashtu, ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor është rritur shumë në vitet e fundit. Edhe pse ka aftësi të kufizuara për të luajtur një rol vendimtar në rajon, Rusia mund të shërbejë për të përçarë.

Çfarë mund të bëhet?

Europa dhe SHBA-të janë përpjekur ta rregullojnë situatën në Ballkan dhe nuk ka funksionuar. Nevojitet një qasje e re, që të njohë seriozitetin e problemit dhe të pranojë që do të duhet një kohë e gjatë dhe burime domethënëse për ta zgjidhur.

Përpjekjet në të shkuarën kanë qenë gabim në dy mënyra: janë shpërfillur problemet reale dhe janë përpjekur të bëjnë shumë gjëra në shumë pak kohë.

Për shumë vite, Europa dhe SHBA-të kanë nxitur udhëheqësit vendas që ta kthejnë vëmendjen ndaj problemeve më serioze, të cilat i kanë çuar në konflikt me njëri tjetrin, duke i ndihmuar si me punë apolitike, teknike, e deri me integrimin në BE dhe NATO. Shpresa ishte që në këtë mënyrë të zbuteshin konfliktet dhe të bëheshin më të zgjidhshme. Është e qartë tashmë që kjo qasje nuk funksionon.

Megjithatë, deri tani ka dështuar çdo përpjekje për të krijuar një “Big Bang”, qoftë duke ristrukturuar kushtetutën e Bosnjës apo duke hequr ndasitë midis Beogradit dhe Prishtinës. Çdo zgjidhje e pranueshme do të përfshinte kompromise të dhimbshme. Është shumë tunduese dhe e lehtë që politikanët që duan të prishin punë t’i trajtojnë këto veprime si tradhti.

Këto probleme nuk zgjidhen brenda natës. Nuk do të largohen për sa kohë që Ballkani bën hapa të ngadaltë drejt BE-së.  Kane nevoje për vëmendje të qëndrueshme e të ngadaltë përgjatë viteve, nga shumë njerëz, të udhëhequr nga aktorët lokalë me mbështetje nga Europa dhe SHBA-të.

Përpjekjet për zgjidhje duhet të vazhdojnë, por me qetësi, mundësisht larg publikes dhe pa pritshmëri jo-realiste për fitore të shpejta. Aktorët e jashtëm mund të ndihmojmë me diplomaci në prapaskenë, jashtë syrit të publikut dhe jashtë faqeve të gazetave. Përparimi mund të kërkojë shumë kohë dhe herë pas here mund të ketë humbje të vogla të asaj që është arritur.

Teksa vazhdon kërkimi për përgjigje ndaj pyetjeve më të mëdha të Ballkanit, bashkë me përparimin drejt BE-së dhe NATO-s, Europa duhet të ndihmojë rajonin që të ribashkohet e të rikthejë lidhjet për të krijuar një zonë më të madhe. Është ironi e trishto që sot është më e vështirë të udhëtosh nga njëra anë e asaj që dikur ishte Jugosllavia, te një tjetër, sesa nga Varshava për në Paris. Lëvizja e lirë e njerëzve, ideve, parave, mallrave, shërbimeve dhe të dhënave brenda Ballkanit, brenda rajonit dhe brenda Europës, do të ndihmonte shumë për të ringritur besimin e për të krijuar një kërkesë për qeverisje të mirë.

Integrimi në arkitekturën perëndimore të politikës, ekonomisë dhe sigurisë, është një qëllim i vlefshëm dhe thelbësor, por mbetet ende shumë vite larg. Megjithatë, integrimi nuk do të zgjidhë problemet e rajonit në vetvete. N ATO dhe BE mund të pranojnë vetëm shtete me rend të mirë ligjor, që janë në paqe me veten dhe me fqinjët. Në dy konfliktet e mbetura në Ballkan kjo është ajo që mbizotëron: e bëjnë të pamundur situatën për të krijuar shtete të qëndrueshme e të mirë-menaxhuara. Asnjë nuk do një partner që e sheh rendin ligjor si shaka, dhe fqinjët si armiq të ligj.

Urgjenca e Ballkanit Perëndimor nënvizohet nga sfida e tretë që tashmë u zgjidh. Greqia refuzonte dikur të pranonte emrin “Maqedoni” të fqinjëve veriorë. Dy vendet e zgjidhën me një kompromis të ri, “Maqedonia e Veriut”. Ky ishte problemi më i lehtë në Ballkan, e megjithatë u deshën 30 vite për ta zgjidhur, me një çmim shumë të lartë. Maqedonia e Veriut humbi 15 vite zhvillim drejt NATO-s dhe BE-së, si dhe cilësia e qeverisjes zbriti nga më e mira te më e keqja në rajon.

Maqedonia e Veriut tani është sërish në udhën e vështirë e plot shpresa të integrimit. Nuk ka kohë për të humbur për Bosnjën, Kosovën dhe Serbinë, si dhe për pjesën tjetër të rajonit. Ky është çasti i duhur që udhëheqja e Europës, në bashkëpunim me SHBA-të, të rikthejnë përqendrimin në Ballkanin Perëndimor dhe t’i japin rajonit dhe problemeve të tyre vëmendjen që meritojnë. Është në interesin tonë që të kemi një Europë të begatë, siç i duhet Aleancës Perëndimore.

Për këtë, nuk mjafton që t’i besojmë vetëm mekanizmave të vjetër për t’iu drejtuar këtyre sfidave. Udhëheqësit europianë kanë të drejtë të angazhohen, dhe SHBA-të duhet të jenë të gatshme t’i mbështesin këto përpjekje.

The National Interest

Frank Wisner, Amb. Cameron Munter, Marko Prelec

Top Channel