Vdekja e 32-vjeçarit në spitalin psikiatrik trondit Kroacinë, nisin dhjetëra denoncime për abuzime me pacientët
Dy avionë të kompanisë ajrore American Airlines janë përplasur me njëri-tjetrin gjatë lëvizjes në pistën e aeroportit kombëtar Ronald Reagan, pranë Uashingtonit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ngjarja ndodhi të premten pasdite, ndërsa të dy avionët po përgatiteshin për nisje.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni i fluturimit 638, me destinacion Dallasin, preku krahun e avionit të fluturimit 2152, i cili do të udhëtonte drejt Çikagos. Përplasja ndodhi rreth orës 17:10 sipas kohës lokale, ndërsa të dy mjetet fluturuese po lëviznin në pistë.
Nga kontakti mes avionëve u shkëput një pjesë e krahut, e njohur si winglet, pjesa e ngritur në skajin e jashtëm të tij. Mbetjet përfunduan në pistë dhe u raportuan nga pilotët te kontrollorët e trafikut ajror. Regjistrimet e komunikimit me kullën e kontrollit tregojnë se njëri prej pilotëve njoftoi përplasjen, duke raportuar se avioni kishte kaluar pak vijën e ndalimit dhe kishte prekur mjetin fluturues pranë tij.
Për shkak të mbetjeve në pistë, kontrollorët e trafikut ajror udhëzuan një avion tjetër që po afrohej drejt aeroportit të ndërpriste uljen. Gjithashtu, disa fluturime të tjera u paralajmëruan për vonesa të mundshme.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk pati persona të lënduar. Të dy avionët u kthyen në portat e aeroportit, ku u kontrolluan nga ekipet e emergjencës dhe më pas u nxorën përkohësisht jashtë shërbimit për inspektim teknik.
American Airlines kërkoi ndjesë për shqetësimin e shkaktuar te pasagjerët dhe bëri të ditur se po punonte për të mundësuar vijimin e udhëtimeve të tyre. Administrata Federale e Aviacionit ka njoftuar se do të nisë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e përplasjes.
Top Channel