ALUIZNI Kavajë një herë jep lejen e legalizimit më pas kërkon korrigjimin e saj pasi e ka bërë gabim. Nga 79.4 metra katrorë kërkon ta korrigjojë duke i dhënë qytetares vetëm 16 metra katrorë. Gabimi i bërë nga ALUIZNI ka çuar në konflikt dy familjet të cilat kalojnë në një rrugë.
Dorjana Alla ankohet në Fiks Fare se ka marrë lejen e legalizimit, nga Aluizni Kavajë por tani i thonë se ja kanë dhënë gabim. Ajo shprehet se bëhet fjalë për një rrugicë përpara shtëpisë e cila është edhe objekt sherri me komshiun e saj. Pasi e kanë marrë lejen e legalizimit, Aluizni i njofton me anë të një letre se është bërë një gabim dhe kjo leje pezullohet, pasi do hiqen metra nga dokumenti që vetë ata i kanë dhënë znj. Alla. “ Unë kërkoj të drejtën time dhe që të mos kem konflikt, pasi vetë ma dhanë dhe tani më thonë që është gabim njerëzor. Unë nuk po e gjej të drejtën”, shprehet ajo.
Për të kuptuar më shumë nga ajo që ka ndodhur familja Alla i drejtohet Aluiznit Kavajë. Juristi i këtij institucioni, Klodi Harizi shprehet se është bërë një gabim njerëzor dhe kjo leje do korrigjohet dhe këtë e bën pikërisht për të shuar konfliktet. Ai shprehet se dokumenti, edhe pse është lëshuar nga ata e firmosur nga drejtori i institucionit, është i parregullt pasi është përpiluar gabim, pra ka pasaktësi. Dhe të gjitha këto kanë vetëm një kryefjalë “gabim njerëzor”. Madje juristi shkon edhe më tej kur i thotë familjes Alla se lejen e legalizimit ua ka dhënë ai për t’u bërë nder. “Qenka me të vërtetë ajo pjesa që kush bën nder, gjen qeder. Je i dyti person që unë bëj leje me kokën time për t’i ndihmuar me hadikat për Zotin, dhe që të dy këto njerëz më kthehen në boomerang”, thotë Harizi. Ai shkon edhe më tej duke u hakërryer qytetarëve se nuk do u marrë dorën atyre për korrigjimin që do i bëjë lejes së legalizimit, edhe pse në shkresën e përpiluar nga ai vetë dhe që i ka shkuar me anë të postës në shtëpi familjes Alla thuhet pezullim i lejes, por për këtë juristi shprehet se nuk mban mend gjë se çfarë ka shkruar në të.
Familja Alla i drejtohet edhe zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Kavajë, për të marr përgjigje për kërkesën që ka depozituar pranë kësaj zyre, por ajo që marrin është një sorollatje dhe një shërbim që lë për të dëshiruar për të qenë punonjës të administratës në shërbim të qytetarëve. Vetë drejtoresha e zyrës, Dëshira Qato shprehet se nuk ka kohë dhe nerva të merret me qytetarët, por i adreson ata në zyra të tjera.”Unë s’kam as kohë as nerva me u marrë me ju. Shko atje në kat të parë, ka zyra të tjera që merren me këtë punë” thotë ajo.
Bisedë me juristin e Aluiznit Kavajë, Klodi Harizi
Qytetari – Tashi ku është problemi ktu..a e bëte ju?
Juristi – Tani a ta kam sqaru 100 herë ktë problem o burrë
Qytetari – Tani lekët i pagova,e bona..
Drejtori – Ato lekë që ke pagu kanë humb..jo jo po bëj korrigjim
Qytetari – Po..po ça korrigjimi. Unë se kuptoj se ça korrigjimi do me bo ti.
Drejtori – Të duket pak ty pjesa ….duhet të bëhem unë shkak konflikti. Po bëj konflikt unë.
Qytetari – Po e a bone i her ti? Kush e boni,e bona unë.
Drejtori – Tani më dëgjo içik..Jo po duhet t’më dëgjosh. Në momentin ku ka konflikt,unë duhet të gjej mënyrën për të shuar konfliktin unë nuk dua të bëj konflikt. Po të heq ty dhe po e lej shtet se ashtu është. Është bërë gabim kjo.Se nuk duhet të ishte vënë.
Qytetari – Po pse?
Drejtori – Tani nuk ke faj,unë po ndreq gabimin o burrë. Tani kupton ti kur robi gabon,kur punon, gabon. Gabon se me nxitim.
Qytetari – Po pse e nxore mbrapa ti kur erdhi tjetri? Ktë dua me dit unë.
Drejtori – Po se kisha ditë unë ktë.
Qytetari – Po kur erdha unë ti mora..A erdha unë ti mora përgjigjet.
Drejtori – Dakord nga matja është bërë ky gabim dhe unë kam nxjerrë gabimin.
Qytetari – I pagova unë.
Drejtori – Jo,s’ke pagujt lekë për ktë. Jo,jo.Ke pagujt taksë ndikimi në infrastrukturë,
Qytetarja – Që të sjellësh ti një letër te shpia që ne 5 vjet mezi i morëm kto letra. Si mendon ti Klodi, është gjë e mirë?
Drejtori – Ju duhet të kuptoni dhe të bindni veten se ..
Qytetarja – Ça duhet të kuptojmë ne? Urdhër pezullimi gjithmonë,ne kemi 5 vjet.
Drejtori – Jo urdhër pezullimi. Korrigjim.
Qytetarja – Po ça korrigjimi?
Drejtori – Ja pra ky është korrigjimi,ju nuk doni me kuptu.
Qytetarja – Tani e gjete korrigjimin ti Klodi.
Drejtori – Tani ti don me e kuptu ktë,nuk do me e kuptu është e drejta jote.
Qytetarja – Unë e kuptoj shume qartë.
Qytetari – Ore mu a më takon 1000 metër e 20 ?
Drejtori – Nuk di unë me ta përcaktua atë. Është e përbashkët është komunitet. Nuk është e jotja.
Qytetari – Është e shtetit. Pse e vune ti? Pse e heq tani?
Drejtori – S’është vetëm e jotja. Tani unë po të ngrej konflikte,s’kam rrugë të hyj në shpi time thotë ai
Qytetari – Pse e vune ti?
Drejtori – Po u bo gabimi tani,kupton ti që kur bohet gabim , bohet gabim. Ka dhe ndreqje gabimi mor burrë.
Qytetari: Çfarë faji kam unë që e ke bërë gabim?
Jurisri: E kam bërë, ja e ndreq unë.
Qytetarja: Ti e ndreqe gabimin në momentin që erdhi pala tjetër, kundërshove, na solle dhe letër tek shpija, për, pezullimin e lejes.
Juristi: Për korrigjim, për korrigjim.
Qytetarja: Për pezullim the në fillim, pastaj për korrigjim, çfarë do korrigjosh? E keni mat vetë.
Qytetari: Për gabimin tat,
Juristi: Jo për gabimin tim, për gabimin e zyrës., nuk është i imi.
Qytetari: Tani kur të erdhi pala tjetër…
Juristi: Se kush erdhi, si erdhi, kjo është pjesë e përbashkët nuk është individuale, s’është as e jotja dhe as e atij tjetrit.
Qytetarja: Ku qëndron shpija? Në ajër? Vetëm këtë dua të di.
Juristi, në tokë, sa është shpija e ke tokën,
Qytetarja: Ku është ? sa është? Sa metra?
Juristi: Sa është shpija e ke tokën,
Qytetarja: 1 metër e 20. Sa i takon shtëpisë? Nga t’i vij rreth e përqark shpisë?
Juristi: Nuk e përcaktoj unë sa i tako, është sipas rrethanave ajo.
Juristi: Këtu është bërë gabim njerëzor dhe po ndreqet gabimi, asgjë më tepër. Nuk është e jotja, nuk po ta heq, nuk është e jotja, nuk është e jotja.
Qytetari: Do me heq, hiqe. Është gabim që është bërë nga zyra, zyrat tona kanë bërë një gabim dhe ndreqim gabimin.
Qytetarja: Specialistët, më fal specialistët kur erdhën dhe bënë matjet si i bënë ata?
Juristi, janë njerëz, njerëz janë, po njerëz janë pra.
Qytetarja: Po na heq të drejtën tonë,
Juristi: Po nuk keni të drejtë pra.
Qytetarja: Sa erdhi pala tjetër ti e hoqe.
Juristi: Oj ti goc, është gabim njerëzor që është bërë, unë kam menduar që kjo është bahçe, që është e shpive, por kjo qenka rrugë, dhe kjo është rruga që është bërë 6 muaj sherr jo bie statusi rrugë, jo nuk bie statusi rrugë. Kjo paska qenë statusi rrugë, kjo është statusi rrugë.
Qytetarja: Aktualisht Klodi e ke gabim, nuk është kjo , nuk është kjo rruga, rruga është një rrugë e përbashkët, që ne e dimë shumë mirë.
Juristi: Atëherë është e jotja?
Qytetarja: Jo nuk është e imja.
Juristi: Duhet me ta dhënë ty?
Qytetarja: Unë kam metrin tim, ku është metri im?
Juristi: Ku e ke përcaktuar?
Qytetarja: Ku e kam përcaktuar ato që e kan mat?
Juristi: Ti kur ke blerë çfarë ke blerë?
Qytetarja: Unë kam blerë shpinë dhe që ti vij shpisë sime rreth e qark.
Juristi: Kush ta tha ty këtë?
Qytetarja: Kush ma tha mua? Ma thotë ligji.
Juristi: Ti ke blerë në ajër, ti ke blerë ajrin se nuk ke blerë gjë me letra.
Qytetarja: Drejtori si e vulosi këtë letër?
Juristi; Po të them edhe një herë , gabimi pason që nga terreni dhe është gabim njerëzor, dhe unë po ndreq gabimin.
Qytetarja: Me këtë letër, më fal që sollët në shtëpi për pezullimin e lejes, tani del korrigjimi.
Juristi: Jo pezullim, korrigjimi. Korrigjim të lejes.
Qytetarja : Në fillim thua pezullim, pezullim të lejes. Lexon letra, ja ku e ke fakt.
Juristi: Nuk e di si kam shkruar letrën.
Qytetarja: Ja, pezullimin e lejes,
Juristi : Nuk e kam pezulluar lejen,
Qytetarja: Mund të flasim dhe me drejtorin?
Juristi: Nuk e pezulloj, tani ti kupton çfarë flas? Leja nuk pezullohet, në asnjë mënyrë jo.
Qytetari: Po pra e bëre, tani e hoqe. A e bëre ti ? Tani po e heq.
Juristi: Atëherë gabimi numër 1 starton që tek ju, nuk duhet ta kishit pranuar që në fillim, jo Klod, je gabim këtu. Do ndreq, unë do ndreq gabimin që është bërë.
Qytetarja: Unë i kam paguar, çfarë është e nevojsghme i kam paguar.
Juristi: Nuk më prish punë fare.
Qytetarja: Unë e kam blerë 79.4 metra, ku është aty 79.4?
Juristi: Ku e ke blerë 79.4?
Qytetarja: Pse kërkon të ma heqësh?
Juristi: Ku e ke blerë?
Qytetarja: Ku e kam blerë? E kam paguar komplet infrastrukturën e të gjitha, shko përplasu në bashki, tek ju po ashtu. Ku jemi ne këtu? Jena në 2019 ën.
Juristi: Ti ke shumë të drejtë, ke me të vërtetë të drejtë, dhe qenka me të vërtetë ajo pjesa që kush bën nderë, gjen qeder. Je i dyti person që unë bëj leje me kokën time për ti ndihmu me hadikat për Zotin, dhe që të dy këto njerëz më kthehen në bumerang. Tani gabimin tim nuk do të marr dorë ty unë ta korrigjoj apo jo? Por unë mbaj përgjegjësi për këtë që kam bërë,
Qytetarja: Ma jep me shkrim.
Juristi: Do të vijë në shpi. Do të vijë letra, ky korrigjimi që kam bërë dhe një kopje të lejes, me vulë të njomë që po është marrë nga origjinali, do të vijë në shpi. Pa diskutim.
Bisedë me drejtoreshën e urbanistikës, Dëshira Qato.
Qytetari: Patëm bërë një ankesë, të na jepni një rrugë zgjidhje.
Drejtoresha e Urbanistikës: Për çfarë?
Qytetari: Për një vërtetim.
Drejtoresha e Urbanistikës: Po një vërtetim, pa parë situatën në vend si jepet vërtetimi? Pa parë situatën,
Qytetari: Po tani duhet të vini ju apo kush duhet të vijë?
Drejtoresha e Urbanistikës: E kemi detyrë po pse, vetëm ti je problemi këtu? Vetëm ti je problemi këtu? Sa probleme ka si puna jote.
Qytetari: Po më jepni një rrugë zgjidhje, nuk po ju kërkoj të më bëni pallat. Një rrugëzgjidhje kërkoj.
Drejtoresha e Urbanistikës: Shko tek ai i katit të parë, tek IMTV,
Qytetari: Tani ato thonë shko këtu, ti thua shko atje, tashi dhe ne kemi ra në hall, ti thua shko atje poshtë.
Drejtoresha e Urbanistikës: Po pra po fajin e kanë këta që e kanë gjetur zyrën e urbanistikës si tabelë qitje, dhe hajde bjeri të gjithë këtu.
Qytetari: Po ku të shkojmë? Ku të shkojmë?
Qytetarja: Shiko, ne nuk po kërkojmë zaptimin e rrugës, po kërkojmë të drejtën tonë, të drejtën tonë , të dalim nga dera e shpisë dhe sa na takon, 1 metër e 20, 1 metër e 20 po kërkojmë.
Qytetari: Unë kërkoj të vini atje në terren dhe ta verifikoni, ku është, unë nuk po bllokoj rrugë fare, pjesën time, unë e dua kështu nga bashkia, të lirume.
Qytetarja: Zonja Dëshira më fal, kërkesa jonë ka 2 javë, me letra me të gjitha.
Drejtoresha e Urbanistikës: Unë s’kam as kohë as nerva me u marrë me ju.
Qytetari: A s’ke nerva?
Drejtoresha e Urbanistikës: Po jo mor se nuk kam, se nuk të lë rrugën unë, se jeni mësuar keq, shko atje në kat të parë, ka zyra të tjera që merren me këtë punë. Shko tek administratori i lagjes, ai të vijë këtu.
Qytetarja: Administratori i lagjes nuk vjen.
Drejtoresha e urbanistikes: Ai, ai duhet të vijë këtu. S’kam punë me ju.
Top Channel