Stevo Pendarovski, kandidat në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut, në një intervistë për Zërin e Amerikës shprehet i sigurtë se do të arrihet pragu i nevojshëm prej 40 për qind të daljes së votuesve në balotazhin e 5 majit.

Ai pret mbështetjen e votuesve shqiptarë, ndërsa i hedh poshtë propagandat siç i quan, të taborrit kundërshtar lidhur me rolin e tij në veprimet dhe politikat ndaj shqiptarëve në një të kaluar jo aq të largët.

Zëri i Amerikës: Zoti Pendarovski, a ekziston frikë në kampin tuaj nga mundësia e mosarritjes së shkallës së nevojshme prej 40% të daljes së votuesve në zgjedhje?

Pendarovski: Unë mendoj se nuk do të kemi probleme me daljen e nevojshme të votuesve. E kam të qartë se kur në raundin e parë kemi 41.8 përqind mund të ketë vështirësi në balotazh, por presim që ato tre – katër përqind elementë të rëndësishëm të elektoratit tonë të angazhohen në maksimum dhe personalisht pres që dalja në balotazh të jetë mbi atë të raundit të parë. Ndërsa sa i përket asaj se kush “dështoi”, vlerësoj se ka të bëjë me lodhjen e votuesve në përgjithësi nga politika: Kishim zgjedhje parlamentare në 2016-ën, lokalet në 2017-ën; në 2018-ën votime për referendum dhe tash bëhet hera e katërt që dalim në zgjedhje, brenda katër vitesh. Me siguri këtu ka dështuar entuziazmi i qytetarëve që për mua është plotësisht e kuptueshme. Pastaj, elektorati i vërtetë në Maqedoni është më i vogël se sa ai që figuron “në letër”. Sigurisht që nuk janë 1 milion e 808 mijë votues të cilët jetojnë këtu.

Zëri i Amerikës: Si e shikoni qasjen e BDI-së në këtë fushatë; partia bëri një fushatë të ndarë nga ju në raundin e parë, ndërsa tash nuk duken që po angazhohen dhe aq në fushatën para balotazhit? A ka mosmarrëveshje në mes partnerëve të koalicionit qeveritar që do të reflektonte më 5 maj?

Pendarovski: Jo. Nuk kishim mitingje të përbashkëta sepse koncepti i fushatës ishte i tillë. Mua më mbështesin edhe PDSH-ja dhe Alternativa dhe nuk kam shkuar as në mitingjet e tyre; njerëzit e tyre kanë ardhur në mitingjet e mia. Kështu që përveç kryeministrit Zoran Zaev në takimet e mia nuk do të shihni as funskionarë të tjerë të Lidhjes Social Demokrate. Ndërkaq, sa i përket shfaqjes së BDI-së, unë jam i kënaqur përkundër spekulimeve se BDI-ja nuk do të angazhohej maksimalisht, siç kishte spekulime edhe për referendumin e vitit të kaluar se nuk kanë dhënë aq sa duhej. Mendoj se BDI-ja në raundin e parë ishte në kuadër të mundësive reale aktuale politike, sikundër dhe partitë tjera shqiptare që më mbështesin dhe të tjerat nga 31 gjithsej. Pres që BDI-ja të dalë edhe më mirë në balotazh sikur edhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë koalicion. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti të paktën nja dhjetë herë ka folur nëpër takime dhe mitingje duke dhënë mbështetjen maksimale. Nuk mendoj se BDI-ja luan një lojë të dyfishtë.

Zëri i Amerikës: Z. Pendarovski, çka ju premtoni shqiptarëve, ose si do t’i përfitoni votuesit të cilët ia dhanë votat zotit Blerim Reka në raundin e parë?

Pendarovski: Jo vetëm ata të cilët e votuan Blerim Rekën por edhe ata që qëndruan në shtëpi. Koncepti im, sa i përket përbërjes së Maqedonisë apo se çfarë shteti paramendoj unë në të ardhmen nuk ndryshon prej vitesh: në vitin 2014 kur dola për kandidat presidencial mora po ashtu një numër të mirë votash të shqiptarëve, ndonëse rrethanat ishin krejtësisht ndryshe. Votuesi i rëndomtë shqiptar e njeh konceptin “Një shtet për të gjithë”. Unë e ofroj këtë, një shtet ku NUK do të ketë padronë dhe qiraxhinj apo të nënrenditur, as qytetarë të rendit të parë e të rendit të fundit, ku nuk do të ketë komunitet etnik të rendit të parë dhe të rendit të dytë a të tretë, kështu që kjo përfshirje në shtetin dhe shoqërinë e Maqedonisë është reçeta e vetme për suksesin e këtij vendi për të gjithë këtu. Shqiptarët janë komunitet i rëndësishëm dhe duhet ta gjejnë vendin e tyre edhe në institucionet e sistemit; Që ta duan këtë shtet, që të jenë më lojal ndaj shtetit – shteti duhet të tregojë se është edhe i tyre dhe jo vetëm i dikujt, por shtet i të gjithëve!

Zëri i Amerikës: Është zhvilluar një fushatë kundër jush, në veçanti në rrjetet sociale duke ju paraqitur si eksponent të pushteteve që kundërshtonin shqiptarët në të kaluarën jo shumë të largët. Kush po e bën këtë?

Pendarovski: Dihet kush e bën këtë. Këtë e bën shtabi i VMRO-DPMNE-së. Njerëzit që më parë ishin pjesë e regjimit të Nikolla Gruevskit, përgjegjës për propagandat. Shtabi i VMRO-DPMNE-së i dorëzon ato video që të përkthehen në shqip tek një parti e cila e mbështeste zotin Reka dhe tek simpatizantë të tjerë të tyre; Pra, bëhet fjalë për regjistrime të fabrikuara në shtabin e VMRO-së dhe që shpërndahen tek një pjesë e opozitës shqiptare. Më vjen keq që disa njerëz të cilët i njoh dhe më njohin ranë prè e këtyre provokimeve, që me gjasë duke dashur të fitojnë sa më tepër vota hynë në një propagandë që ishte model i Mijallkovit dhe Gruevskit para disa vitesh. Fatmirësisht që jemi vend i vogël dhe njihemi. E dinë njerëzit se kush kam qenë në të nëntëdhjetat dhe sot dhe e dinë se nuk kam qenë këshilltar i Johan Tarçullovskit por kam qenë këshilltar për Siguri Kombëtare i Boris Trajkovskit, i cili e bëri Marrëveshjen e Ohrit. Apo fliten nebuloza se në ’97-ën të kem qenë fajtor për arrestimin e Rufi Osmanit. Zoti Osmani në 2014-ën publikisht ma dha mua mbështetjen dhe jo kandidatit të VMRO-DPMNE-së. Dhe ai nuk do të jepte mbështetjen vetëm ashtu, nëse unë do të kisha pasur lidhje me arrestimin e tij. Për fat, shqiptarët, sipas anketave, nuk u besojnë këtyre gjërave. Një pjesë e opozitës shqiptare nuk duhej të bie prè e propagandës së VMRO-DPMNE-së, e cila dihet se çfarë synimesh ka kundrejt shqiptarëve. Një deputet i saj është kriminel i dënuar nga Gjykata e Hagës!

Zëri i Amerikës: Sa kanë ndikuar apo mund të ndikojnë zvarritjet në fushën e legjislacionit, amnistia për 27 prillin, mosmarrëveshjet rreth të ardhmes së Prokurorisë së Posaçme, në rënien e mbështetjes për pushtetin dhe për Ju si kandidat i saj?

Pendarovski: Sigurisht. Në vitin 2016 unë isha bartës i listës për deputet dhe ne premtuam shumë gjëra por askush nuk besonte se pikërisht në mandatin tonë do të zgjidhet problemi i emrit të vendit, se do të arrihen marrëveshjet me Bullgarinë, ligji për gjuhët si pjesë e fundit e Marrëvehsjes së Ohrit, ndërsa gjashtë muaj nuk mund të merrnim vendet për çka na kishin votuar, me që VMRO-DPMNE-ja nuk lejonte transferimin e qetë të pushtetit. Se do të kishim ndryshime kushtetuese, dhe kjo harxhoi mjaft energji dhe me të drejtë, pasi që u zgjidhën probleme strategjike për t’i hapur dyert e Evropës për të gjithë ne që jetojmë në këtë vend. Megjithatë kjo i ngadalësoi reformat brenda, në veçanti në aspektin e legjislacionit. Edhe çështja e 27 prillit është pa precedencë: nuk mundeni të besoni që në Evropën e sotme dikush të hyjë në parlament dhe të rrahë deputetët apo partia në pushtet të organizojë huliganë që për pak sa nuk vranë ndonjë prej ligjvënësve… Ndërkaq lidhur me ndryshimet kushtetuese, VMRO-DPMNE-ja paraqitej me një retorikë të skajshme nacionaliste, anti-perëndimore, anti-shqiptare… Por mendoj se koalicioni i brishtë në aspektin e numrave në pushtet ia doli me sukses në të gjithë këtë situatë. Pajtohem që njerëzit e zhgënjyer duan reforma të thella gjyqësore, por nëse opozita vjen në pushtet nuk do të ketë asgjë prej këtyre reformave. Pendarovski nuk është i njejtë sikur Siljanovska; Zaevi nuk është i njejtë sikur Nikolla Gruevski. Me këta nuk do të shohim as “R”-në nga reformat. Reformat që arritëm ne dhanë rezultat dhe na ftuan në NATO. U bënë punë që nuk ishin bërë në 30 vjetët e kaluara.

Zëri i Amerikës: Parlajamërimet e Kryeministrit Zaev për spastrime në radhët e Lidhjes Social Demokrate dhe të qeverisë për rezultatin e dobët në raundin e parë tingëllojnë si vardisje për tërheqjen e votave të humbura. A do të ketë vërtetë spastrime?

Pendarovski: Unë nuk jam anëtar i partisë dhe nuk mund ta di, por nëse bëni analiza të shifrave do të shihni se pati rënie të votave. Unë mendoj se do të ketë ndryshime të kuadrove, ndërsa të gjithë këta votues që dhanë mbështetjen që nga 2016-a e këndej janë për një Maqedoni Euro-atlantike dhe shumë-etnike dhe pres që ata të më votojnë mua si përfaqësues i këtij koalicioni.

Zëri i Amerikës: A mund të ketë më shumë dobi opozita apo pushteti nga dështimi eventual i balotazhit, që me siguri do të çonte në zgjedhje të parakohshme?

Pendarovski: Unë mendoj se dëmin më të madh do ta kishte shteti sepse do të ishte e pamundur të merrnim datën nga BE-ja për bisedime në qershor nëse nuk do të mund ta zgjidhnim presidentin e shtetit. Nëse një shtet nuk është i aftë të zgjedhë bartësin e funksionit më të lartë, si do t’i bindni se do të bëni reforma? Në këtë rast dëmi kolateral do të ishte për vetë Maqedoninë. Aspak nuk mendoj se opozitës dhe pushtetit i përgjigjen zgjedhjet e parakohëshme tash.

Nga ana tjetër, koalicioni në pushtet do t’i fitonte zgjedhjet, jo me dallim siç i fitoi në zgjedhjet e fundit, por me sa di unë, pushteti dëshiron të tregojë rezultate pas marrjes së datës për bisedime, tash që jemi shkarkuar nga barra e problemeve të mëdha, të përkushtohet në fushën ekonomike-sociale.

Zëri i Amerikës: Çfarë pasojash do të kishte në drejtim të integrimeve të vendit drejt strukturave Euro-atlantike nëse nuk do të kishin sukses zgjedhjet presidenciale?

Pendarovski: Portofoli ynë do të ishte më i varfër kur ta shqyrtojnë miqtë dhe partnerët tanë evropianë. Mgjithatë, nëse ndodh ajo që opozita t’i fitojë zgjedhjet më 5 maj, kjo do t’i pengonte proceset reformuese sepse koncepti i saj dhe i VMRO-së është “Maqedonia për dikënd dhe jo për të gjithë” që është një politikë agresive nacionaliste që do të sillte tensione me komunitetin shqiptar. Ky vend në vitin 2005 mori statusin kandidat për anëtarësim në BE më së shumti për shkak të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Tash jemi para portave të NATO-s dhe presim datë nga BE-ja falë Marrëveshjes së Prespës dhe Ligjit për gjuhët. Që të dy dokumentet Siljanovska i mohon dhe ato i sulmon furishëm kryetari i VMRO-së, Mickovski. Nëse ata vijnë në pushtet nuk do të sillen më ndryshe se sa që flasin në këtë fushatë. Jam i bindur se ata ashtu e paramendojnë shtetin, ata flasin për një Maqedoni të maqedonasve dhe floskula të shekullit të 19. Regjimi 11 vjeçar i Gruevskit e vërtetoi se me ta nuk mund të shkohet përpara drejt BE-së dhe NATO-s. Ndonëse përpiqen të na bindin se janë për integrime euro-atlantike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA