Max Verstappen zhbllokohet më në fund. Piloti holandez i Red Bull triumfon në provat kualifikuese të Çmimit të Madh të Bahreinit që po zhvillohen në pistën e Sepangut për shkak të situatës gjeopolitike, duke fituar pole positionin e parë në këtë sezon.

Verstappen i fitoi këto prova zyrtare duke e përshkuar pistën me kohën 1 minutë 35 sekonda e 130 të mijtat duke lënë pas në vendin e dytë, Lewis Hamilton me Ferrari me 298 të mijtat më shumë, ndërkohë që në vendin e tretë u rendit piloti tjetër i Red Bull, Isack Hadjar, por ky i fundit u penalizua me 5 pozicione për shkak të zëvendësimit të njësisë së fuqisë së motorit të makinës së tij.

Kjo do të thotë që do të jetë Andrea Kimi Antonelli që do të niset nga vendi i tretë në garë edhe pse shënoi kohën e 4-t më të mirë dhe menjëherë pas tij është pozicionuar Charles Leclerc.

Në vijën e tretë të startit janë dy makinat McLaren, me Lando Norris dhe Oscar Piastri respektivisht në vendin e 5 dhe të 6, të ndjekur nga George Russell dhe pikërisht Isack Hadjar. Dhjetëshja e pilotëve më të shpejtë në provat kualifikuese plotësohet nga Pierre Gasly dhe Gabriel Bortoletto të pozicionuar respektivisht në vendin e 9 dhe të 10.

 

Top Channel