Kisha e djegur 300-vjeçare, banorët e Kuçovës: Duam të rindërtohet

30/04/2019 12:22

Kisha 300-vjeçare e fshatit Salcë-Kozare në Kuçovë është djegur 5 vite më parë pas meshës për festën e Shën Mërisë. Shkak u bënë qirinjtë e lënë ndezur. Flakët shkrumbuan tërësisht strukturën prej druri.

Brenda natës, fshati nuk e kishte më kishën që ishte ruajtur me fanatizëm edhe gjatë diktaturës, e ku shumë banorë besimtarë rrëfejnë se luteshin pranë saj në fshehtësi. Por ende edhe sot, askush nuk e ka rikonstruktuar kishën “Fjetja e Shën Mërisë”, e cila po pëson degradim të plotë.

Besimtarët e fshatit duan të japin parà për ta rindërtuar, pasi lidhja shpirtërore me kishën është e fortë për ata. Objekti i kultit është një prej kishave më të rralla në Qarkun e Beratit dhe daton prej fundit të viteve 1700 dhe fillimit të viteve 1800.

Kupola e kishës së tipit bizantin ishte e zbukuruar me piktura murale. Ruajtja në një gjendje të shkëlqyer e afreskut mural me skena biblike e dallonte nga kishat e tjera të zonës.

Top Channel