Abdelkader Ouazzani konsiderohet i fundit i mjeshtrave të mëdhenj të tezgjahut në Marok. Prej 63 vitesh, ai është ulur në “avlement” për të krijuar pëlhura të mrekullueshme në dyqanin e tij të ndodhur në zemër të qytetit të vjetër Fes.

“Ky profesion po humbet. Këtu në Fes ka pasur shumë artizanë që merreshin me tezgjahun, por kanë vdekur të gjithë. Vetëm kujtimi i tyre mbetet ende”, tha Abdelkader Ouazzani.

Nga duart e tij kanë dalë pëlhura mëndafshi me zbukurime në ngjyrë floriri e argjendi, tejet të kërkuara për dasma dhe ceremoni të ndryshme. Ato pëlqehen madje edhe nga dizajnerë që e vlerësojnë shumë punën delikate të Ouazzanit dhe krijimet e tij cilësore e plot fantazi.

Cili është sekreti i një mjeshtërie të tillë?

“Është e gjitha çështje përllogaritjesh. Çdo fill ndjek rrugën e tij dhe t’i duhet ta kontrollosh, është pak si matematikë”, tha Abdelkader Ouazzani.

Ouazzani ka mësuar një të vërtetë të madhe të lidhur me këtë zanat. Rregullat e artit që prodhon, ai i ka mësuar përpara shumë kohësh, në rininë e tij, kur nuk kishte makineri industriale për ta bërë një punë të tillë.

Ajo kërkon mjaft kujdes e është impenjative edhe fizikisht. Ouazzanit i duhet një ditë e tërë për të endur një metër pëlhurë. Ai është i fundit që punon kështu e thotë se nuk gjen dot dikë për t’i besuar dyqanin, sepse të rinjtë – siç rrëfen me keqardhje, – nuk kanë interes e nuk duan ta mësojnë sesi punohet në tezgjah.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA