Puna në shtet mbetet e preferuara e shqiptarëve. Vit pas viti kërkesat mesatare për një pozicion vakant kanë pësuar rritje duke kulmuar në vitin 2018 me 22 të tilla për një vend vakant të shpallur nga institucionet.
Departamenti i Administratës Publike raporton se kjo është mesatarja më e lartë e 18 viteve të fundit.
“Numri mesatar i kandidatëve për një pozicion për vitin 2018 llogaritet të jetë 22. Siç mund të vihet re nga grafiku i mëposhtëm, numri mesatar i aplikantëve për pozicion ka pësuar rritje në krahasim me vitet e mëparshme, gjë që tregon për një interesim në rritje për t’u bërë pjesë e shërbimit civil” thuhet në raportin e publikuar nga Monitor.
I njëjti nënvizon se gjatë vitit të shkuar në vlerë absolute, numri total i aplikimeve për të gjitha pozicionet e shpallura për vitin është 27067, nga të cilët rezulton se 13658 aplikantë i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në shpallje.
DAP ka nxjerrë edhe disa të dhëna lidhur me aplikantët duke nisur nga mosha mestare, interesi më i madh sipas gjinisë.
Kështu numri i aplikantëve unik llogaritet të jetë 5973, nga të cilët 57.6% femra, dhe 42.4% meshkuj. Mosha mesatare e aplikantëve është 32 vjeç. Mosha mesatare e aplikantëve për pranimin në shërbimin civil është 31 vjeç. Mosha mesatare e aplikantëve për ngritje në detyrë është 38 vjeç.
Në 2018 më shumë vende bosh prej dorëheqjeve dhe pezullimeve
Departamenti i Administratës Publike bëri me dije se numri i pozicioneve të shpallura në vitin 2018 ishte më i madh se ai i pozicioneve të planifikuara. “Ky fakt është rrjedhojë e krijimit të vendeve vakante përgjatë vitit, për shkak të dorëheqjeve, mobilitetit brenda shërbimit civil (lëvizjet paralele dhe ngritjet në detyrë të nëpunësve civilë), pezullimeve të paplanifikuara të nëpunësve civilë, etj.
Në funksion të rritjes së numrit të vendeve vakante të plotësuara, si dhe në zbatim të legjislacionit të nëpunësit civil, DAP-i, edhe gjatë vitit 2018, implementoi metodën e shpalljes së pozicioneve të kategorisë ekzekutive sipas grupimit të tyre mbi bazë qarku. Qëllimi i aplikimit të kësaj metode të shpalljes së vendeve vakante ishte orientimi i aplikantëve për të aplikuar në mënyrën e duhur sipas vendbanimit të tyre” thuhet në raport.
Top Channel