Vendi që ndodhet afër ish-Fushës së Aviacionit menaxhohet nga Bashkia e Tiranës dhe shërben si magazinë për institucionin. Për këtë arsye aty sheh nga materiale ndërtimi tek hedhurina të ndryshme që nga dërrasa, xhama të thyer, goma makinash e deri tek pllaka të vogla e të mëdha, skela dhe karrige e banka shkolle të dala jashtë përdorimit.

Top Channel solli në vëmendje pak ditë më parë shqetësimin e banorëve që i janë drejtuar edhe me një peticion bashkisë për zgjidhjen e këtij problemi. Banorët tregojnë se pati lëvizje, por jo zgjidhje përfundimtare.

“Erdhën punëtorët e bashkisë dhe sistemuan, por këtu zgjidhje është bërja e një parku apo kalçetove që të luajnë fëmijët e gjithë këtyre pallateve. Në këtë bllok vetëm jetojnë 180 familje”, tregon një zotëri.

Punonjësit e magazinës pohuan se gjithçka këtu është e inventarizuar dhe se bashkia po ndërton një magazinë të re, ku do të shpërngulen.

Nga zyra e shtypit të bashkisë na komunikuan që bashkia ka një projekt për shndërrimin e këtij vendi në park argëtimi për të gjithë banorët e zonës.

Top Channel