Administrata amerikane e Donald Trump njoftoi këtë të hënë se do të vendosë sanksione të rënda ndaj kujtdo vendi që do të vazhdojë të importojë naftë nga Irani.
Shtëpia e Bardhë thotë në një deklaratë se presidenti Trump “ka vendosur të mos rinovojë” lëshimet apo heqjen dorë nga sanksionet kundër vendeve që importojnë naftë prej Republikës Islamike, kur ligji në fjalë të skadojë “në fillim të muajit maj”. Data e saktë është 2 maj.
“Vendimi në fjalë synon t’i çojë eksportet iraniane të naftës drejt zeros, duke i mohuar kështu regjimit burimin kryesor të të ardhurave”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Sekretarja për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders.
Lajmi u raportua fillimisht nga “Washington Post”, ndërsa duke folur këtë të hënë në një konferencë për shtyp, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha se, “synimi është i thjeshtë dhe i qartë: regjimi i paligjshëm të privohet nga fondet që ka shfrytëzuar për të destabilizuar Lindjen e Mesme për 4 dekada, e për të stimuluar Iranin të sillet si një vend normal”.
E duke theksuar se nafta është “burimi numër 1 i të ardhurave ‘cash’ të regjimit”, Pompeo tha se përpara implementimit të sanksioneve amerikane, Irani gjeneronte as më pak e as më shumë, por “50 miliardë dollarë të ardhura çdo vit” nga eksportet e naftës. Departamenti i Shtetit përllogarit se sanksionet i kanë “mohuar regjimit jo pak, duke iu lënë vetëm 10 milionë dollarë”.
“Sa do të zgjasë kjo, që t’i lemë ata pranë zeros? Varet vetëm nga udhëheqësit e lartë të Republikës Islamike të Iranit”, shtoi më tej ai. “Ne i kemi bërë kërkesat tona shumë të qarta për ajatollahun dhe miqtë e tij: t’i japin fund programit të armëve bërthamore, të ndalin testimet dhe prodhimin e raketave balistike, t’i japin fund sponsorizimit dhe ndërmarrjes së akteve terroriste, të ndalin paraburgimin arbitrar të shtetasve amerikanë. Presioni ynë synon t’iu japë fund këtyre dhe shumë të tjera, e do të vazhdojmë ta përshkallëzojmë derisa Irani të vendosë të adresojë këto në një tryezë negociatash”, tha Pompeo.
Vendet që vazhdojnë të importojnë naftë nga Irani në sasi të mëdha janë India, Kina, Koreja e Jugut, Japonia dhe Turqia.
Top Channel