FIFA do ‘fitojë’ 12 miliardë euro nga Botërori 2026, sa para fiton secili vend pjesëmarrës?

30/06/2026 13:39

FIFA pritet të arkëtojë një shifër rekord prej 12 miliardë eurosh nga Kupa e Botës 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Kjo shumë e bën turneun aktual më fitimprurësin në historinë e futbollit, duke lënë pas edhe rekordet e fundit.

Për ta vënë në kontekst rritjen marramendëse: Botërori i Katarit në 2022 gjeneroi rreth 6.6 miliardë euro, ndërsa ai i Rusisë në 2018 solli 5.6 miliardë euro. Pra, brenda vetëm dy ciklesh, FIFA pothuajse e ka dyfishuar të ardhurën e saj nga një turne i vetëm.

Po nëse shikojmë pamjen më të gjerë, situata është edhe më spektakolare: gjatë dy dekadave të fundit, të ardhurat financiare të FIFA-s janë katërfishuar. Për krahasim, Botërori i Gjermanisë në 2006 gjeneroi rreth 3 miliardë euro – pra nga 3 miliardë euro në 2006, te 12 miliardë euro pritshme në 2026.

Nga vijnë këto para?

Pjesa kryesore e këtij rritjeje vjen nga formati i ri me 48 ekipe, që sjell më shumë ndeshje, më shumë qytete pritëse dhe më shumë orë transmetimi. Sipas analizave, të ardhurat nga televizioni dhe transmetimi zënë rreth 39% të buxhetit, mikpritja dhe biletat rreth 28%, sponsorizimet 24%, ndërsa të drejtat e licencimit rreth 6%.

Vetëm nga biletat dhe mikpritja, FIFA pret një rritje shumë të madhe: të ardhurat nga biletat dhe mikpritja parashikohet të kalojnë 3 miliardë dollarë, krahasuar me rreth 950 milionë dollarë në Katar – pra një rritje prej mbi 200%.

Çfarë bën FIFA me gjithë këto para?

FIFA është organizatë jofitimprurëse dhe nuk shpërndan dividentë. Sipas ekspertëve, pavarësisht kostove më të larta operative për një turne të zgjeruar, FIFA pritet të ketë fitim rreth 10 miliardë dollarë, para se paratë t’u shpërndahen 211 federatave anëtare.

Vlen të theksohet edhe rritja e çmimit total për ekipet pjesëmarrëse: FIFA ka miratuar një fond total prej 655 milionë dollarësh si çmime për 48 vendet pjesëmarrëse, 65% më shumë se 440 milionë dollarët e shpërndarë në Katar.

Top Channel