Aventura e dytë e sulmuesit Diego Costa tek Atletico e Madridit rrezikon të mbyllet më herët sesa kontrata mes palëve. Futbollisti problematik, që është konfliktuar thuajse në çdo skuadër që ka milituar më parë, refuzoi të stërvitet me pjesën tjetër të ekipit në seancën e fundit, pavarësisht se u prezantua në grumbullimin e klubit madrilen.
Zyrtarisht nuk është as me lejen e klubit dhe as i dëmtuar, e burime për mediet spanjolle bënë të ditur se futbollisti brazilian që mbron ngjyrat e flamurit spanjoll, ka vendosur pa konsultim të refuzojë klubin. Kjo, për shkak të hetimit të brendshëm që ka nisur Atletico e Madridit mbi 8 javët e pezullimit, pas përjashtimit që sulmuesi mori në ndeshjen ndaj Barcelonës.
Atletico e Madridit mbrojti fillimisht futbollistin e saj me të gjitha mënyrat, por përballë Disiplinës u faktuan përmes raportit të arbitrit dhe provave audiovizive, se lojtari meritoi dënimin. Në fundin e sezonit ai do të marrë një gjobë të majme, por kjo situatë sjell krisje serioze mbi qëndrimin e Diego Costës tek Atletico.
Një rast i ngjashëm u regjistrua më herët këtë sezon në futbollin italian, mes Mauro Icardit dhe Interit, pas heqjes së shiritit të kapitenit ndaj sulmuesit argjentinas.
Top Channel