“Beogradi po kërcënon Prishtinën”, ministri i Brendshëm i Kosovës për deklaratën e rëndë të ministres serbe: E shpallëm non-grata, nuk do të lejohet as kalimi tranzit

15/07/2026 13:35

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të një ministreje serbe, duke i cilësuar ato si kërcënim të hapur ndaj Kosovës.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Shqipëria Live” në Top Channel, Sveçla theksoi se zyrtares serbe i është ndaluar përgjithmonë hyrja në Kosovë dhe se vendi ka kapacitetin të mbrojë sovranitetin e tij.

Nuk ishte një gjuhë e panjohur, por ashpërsia e gjithë fjalisë ishte pika e veçantë. Nuk është hera e parë që ne dëgjojmë të tilla deklarata. Jemi dëshmitarë të masakrave dhe dhunës që Serbia ka bërë ndaj shqiptarëve të Republikës së Kosovës. Nuk ishte befasi e madhe, por edhe siç kam deklaruar, s’është më Kosova e viteve ’90 apo 2000. Tani kemi një Kosovë sovrane, që kontrollon çdo cep të territorit të saj. Ka mundësinë dhe obligimin të marrë vendime të tilla, që një ministre e Serbisë të shpallet non grata përgjithmonë. I ndalohet qoftë edhe kalimi tranzit në Republikën e Kosovës.

Deklarata e saj: “Ne kemi pritur 500 vite të largohen turqit, do presim edhe të largohet KFOR.” Patjetër që është kërcënim. Ky nuk është kërcënim vetëm i saj, por edhe i ministrit të Brendshëm të Serbisë. Po ashtu është i vetë Aleksandër Vuçiç, presidentit të Serbisë, i cili ka thënë se pret ndryshimet globale për të vepruar.”, u shpreh Sveçla.

Top Channel