Moti i ftohtë dhe shirat e ditëve të fundit kanë nxjerrë më në pah një problem të madh me të cilin po përballet gjimnazi “Elez Isuf Nreu”, në Bathore, pjesë e Bashkisë së Kamzës.

Gati një muaj më parë, një erë e fortë mori pothuaj gjithë mbulesën e sipërme dhe sot jemi në kushtet kur i gjithë shiu bie brenda, pastrueset që mbledhin ujin me kova dhe gjithë katin e parë me 8 klasa dhe 8 laboratorë janë jashtë funksionit.

Drejtori i shkollës ju drejtua me shkresë po atë ditë Bashkisë së Kamzës dhe Drejtorisë së Emergjencave Civile.

Sherif Koldashi, drejtori i gjimnazit “Elez Isuf Ndreu”, shprehet: “Asnjë përgjigje nuk kemi marrë nga gjithë institucionet. Ditën e incidentit erdhi një ekip vlerësuesish nga Bashkia e Kamzës dhe doli në përfundimin që riparimi i mbulesës kushton tek 15 milionë lekë të vjetra. Asnjë përgjigje nuk na është kthyer nga ajo ditë, megjithëse kam komunikuar me shkresa dhe emaile gati përditë me bashkinë”.

Ndërtesa është e re, ndërtuar para 7 vjetësh. Në të mësojnë 700 nxënës.

“Ne të gjitha aktivitetet i organizojmë në holl, por tani varemi nga tekat e motit dhe gjithë mundimi ynë ka shkuar dëm. Jemi një shkollë afër Tiranës dhe nuk po na dëgjon njeri. Ne jemi në vit të katërt dhe duam ta përmbyllim me sukse procesin, por kjo gjendje është skandaloze”, thotë një nxënëse.

Ky problem ka një muaj që ekziston, nuk është se era e mori dje apo sot mbulesën. Në këto kushte të shpresojmë që institucionet përgjegjëse të marrin masat që mësimi në këtë gjimnaz të zhvillohet në kushte dinjitoze si për nxënësit, edhe për mësuesit.

Top Channel