Eksportet bujqësore janë mbi dyfishuar 5-vjeçarin e fundit. Shifrat zyrtare tregojnë se, nga 50 milionë euro që ishin në vitin 2013, kanë kaluar në 110 milionë euro në 2018-n. Nedrete Arapi, eksportuese e produkteve të ndryshme bujqësore thotë se kërkesa është e madhe nga vendet europiane.

“Janë shtuar shumë. Kemi pasur kërkesa nga vetëm disa shtete, por tani Europa po hyn më fort me shtete si Rumania, Bullgaria, Çekia, Ukraina. Por edhe nga Gjermania, Suedia, etj.”, tha Nedrete Arapi, eksportuese.

Tani ka filluar sezoni i produkteve verore, me të cilat Shqipëria konkurron fuqishëm.

Myzeir Nezha dhe familja e tij ka në Kosovë të Lushnjes 3 hektarë serra. Ai thotë se këtë vit është fokusuar te domatja. Mbjelljen e parë e ka bërë në fund të dhjetorit, ndërkohë prodhimi i parë ka filluar dhe porositë po shtohen nga tregtarët.

“Yani nuk e dimë sesi do të shkojë deri në fund, por për momentin nuk është keq. Ka kërkesa malli, unë punoj me eksportin zakonisht, 80% e mallit vete në eksport. Më vijnë tregtarët prenotojnë tek unë. E shikojnë mallin, se sot konkurron cilësia. Atij i pëlqen, vijnë këtu e shikojnë edhe bëjmë atë aktmarrëveshjen për ta çuar atje”, thotë Muzeir Nezha, fermer.

TVSH për inputet bujqësore është hequr për të stimuluar ekonominë në fshat, por Myzeri thotë se ndoshta mund të ndërhyhet më shumë për të zgjidhur çëshjtet e kullimit, pasi vet fermerët nuk organizohen dot.

“Ne si fermerë po bëjmë maksimumin, por nuk i bëjmë dot, se nuk jemi të zotë të administrojmë edhe kanalet në tokat e tjetrit”, tha Muzeir Nezha.

Top Channel