Koreja e Jugut është bërë vendi i parë në botë që lancon rrjetin kombëtar 5G, dy ditë më herët nga sa ishte parashikuar, duke u dhënë një numri personash të përzgjedhur mundësinë për të qenë përdoruesit e parë të teknologjisë wireless super të shpejtë.
Tre operatorë kryesorë telekomi nisën shërbimet e tyre 5G në orën 11 sipas orës lokale, pavarësisht se më herët kishin njoftuar se data e lancimit të rrjetit do të ishte 5 prilli.
Koreja e jugut, prej kohësh gëzon reputacion për nivelin teknik dhe Seuli e ka bërë përdorimin e rrjetit 5G një prioritet ndërsa kërkon të stimulojë rritjen ekonomike në vend.
Bashkë me SHBA, Kinën dhe Japoninë, Koreja e Jugut ishte përfshirë në garën për titullin e ofruesit të parë në botë të rrjetit ultra të shpejtë. Por, spekulimet se kompania amerikane Verizon mund të niste shërbimet e saj 5G më herët, detyruan koreano-jugorët të organizohen me urgjencë.
Në fakt, edhe Verizon nisi të ofronte shërbimet e saj 5G në Chikago dhe Mineapolis, në të njëjtën ditë, por Koreja e Jugut ia kaloi me dy orë. Personalitete, mes të cilëve dy pjesëtar të grupit K pop dhe patinatorja olimpike Kim ju-na, ishin të parët në botë që u abonuan në rrjetin 5G.
Ekspertët thonë se ky rrjet do ti japë smartfonëve, një lidhshmëri thuajse të menjëhershme- e është 20 herë më i shpejtë se 4G, çka i lejon përdoruesit të shkarkojnë filma të plotë në më pak se një sekondë.
Teknologjia është thelbësore për zhvillimin e mjeteve të së ardhmes si psh makinat pa shofer dhe pritet të sjellë rreth 565 miliardë dollarë përfitime ekonomike globale deri në 2034.
Top Channel