Fermerët që prodhojnë qumësht do të marrin subvencion 10 lekë, për çdo litër që shesin te fabrikat e përpunimit. Ministria e Financave ka dërguar në qeveri një vendim, i cili kompenson efektet e uljes së rimbursimit të TVSH-së te prodhuesit e qumështit.

Sipas vendimit, për të subvencionuar prodhuesit në vitin 2019, Ministria e Financave do të paguajë 300 milionë lekë ose rreth 3 milionë dollarë. Por, ndryshe nga skema e mëparshme, kur subvencioni bëhej përmes rimbursimit të TVSH-së te agropërpunuesit, me vendimin e ri ai iu jepet drejtpërdrejt fermerëve.

Prodhuesit e qumështit ishin ndër kategoritë më të prekura nga ulja e rimbursimit të TVSH-së, nga 20 për qind në 6 për qind, e cila hyri në fuqi më 1 janar. Për shkak të kompensimit më të vogël, fabrikat e përpunimit ulën çmimin e blerjes nga fermerët, duke kërcënuar madje se do të furnizoheshin nga vendet fqinje.

Kjo bëri që fermerët në shumë zona të vendit, si në Lushnje, të dalin në protesta, madje duke derdhur në mënyrë simbolike qumështin në rrugë.

Por, pas situatës së krijuar, qeveria ka vendosur të ndërhyjë duke zgjedhur si skemë për të lehtësuar prodhuesit e qumështit subvencionin e drejtpërdrejtë me parà në dorë. Subvencioni do të jepet përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, ku fermerët do të paraqesin faturën e shitjes te përpunuesit.

Sipas vendimit, ashtu si dhe për kompensimin e TVSH-së, subvencioni do të përfitohet vetëm nga fermerët e regjistruar me NIPT.

Top Channel