Këtë mesjavë pritet që moti të prishet dhe anijet e peshkimit po kthehen njëra pas tjetrës në portin e ri të peshkimit në Durrës.

Do të qëndrojnë në kalatë deri kur të përmirësohet koha. Kapiten Skënder Hasani ka një jetë që merret me gjueti në det, ai është nga Vlora, por peshkun e sjell me anije në portin e ri të peshkimit në Durrës, pasi aty janë të gjitha kushtet.

“Jemi shumë mirë. Si nata me ditën me Vlorën. 7-8 arka kemi kapur për dy ditë”, shprehet Hasani.

Sektori i peshkimit ka njohur rritje të madhe 5 vite e fundit. Ekportet janë 4-fishuar krahasuar me vitin 2013, ndërkohë që vitin e fundit janë rritur me 40%, thotë Qemal Beu, kryetar i Shoqatës së Peshkimit në Durrës.

Flota e peshkimit në Shqipëri numëron rreth 450 anije, shumica të regjistruara në Durrës. Zoti Beu thotë se kushtet janë të mira, ndërkohë që edhe vetë pronarët po investojnë. Por, janë mundësitë për rritjen e kapaciteteve përpunuese në portin e peshkimit në Durrës.

Sektori i peshkimit është në skemat e subvencioneve, ndërkohë që peshkatarët përfitojnë naftë pa akcizë.

Top Channel