Tarifat amerikane ndaj Kinës ka gjasa të qëndrojnë për një farë kohe edhe në se arrihet një marrëveshje tregtare, tha të mërkurën Presidenti Donald Trump.
“Bisedimet po shkojnë mirë,” tha presidenti për negociatat e vazhdueshme tregtare me Pekinin, duke vënë në dukje se Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Robert Lighthizer dhe Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin do të shkojnë në Kinë brenda disa ditësh për të vazhduar diskutimet.
“Tani po marrim me miliarda dollarë nga tarifat dhe ato do të qëndrojnë për një periudhë kohore “, tha presidenti Trump.
Deklarata e presidentit tregon se edhe nëse arrihet një marrëveshje tregtare me Pekinin, tarifat e vendosura nga Uashingtoni mund të vazhdojnë të qëndrojnë nëse zyrtarët amerikanë nuk janë të bindur se pala kineze po u përmbahet kushteve të ndonjë marrëveshjeje.
“Ata kanë pasur shumë probleme për të respektuar marrëveshje të caktuara”, tha presidenti në Shtëpinë e Bardhë.
Tarifat e imponuara vitin e kaluar ngjallën frikën e një lufte tregtare trans-Paqësore.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina, dy ekonomitë më të mëdha në botë çdo vit tregtojnë mes tyre mallra që kapin shumën e më shumë se gjysmë trilion dollarësh. Produktet kineze të shitura në Shtetet e Bashkuara tejkalojnë vlerën e atyre që eksportohen në Kinë dhe se vetëm ky deficit përbën rreth 80 përqind prodhimit të përgjithshëm të mallrave në Amerikë.
Një nga synimet kryesore të presidencës Trump ka qenë zvogëlimi i këtij hendeku të madh duke negociuar marrëveshjet e tregtisë dypalëshe dhe duke rindërtuar bazën e prodhimeve në vend.
Trump shkoi të mërkurën në një zonë në Ohajo ku kompania General Motors po planifikon të mbyllë një fabrikë të montimit të makinave, duke mbyllur rreth 1,500 vende pune dhe duke errësuar mesazhin e ringjalljes së prodhimit në Shtetet e Bashkuara të presidentit.
Disa analistë tregtarë thonë se tarifat e metaleve të vendosura mbi Kanadanë dhe Meksikën, kanë dëmtuar prodhimin amerikan, duke përfshirë kompanitë e automobilëve.
Ohajo, shteti ku Trumpi fitoi në zgjedhjet e 2016-ës, përsëri do të jetë një shtet kyç në betejën për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Top Channel