Ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i janë komunikuar akuzat, këtë të enjte në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Prokuroria për Krimet e Rënda mbylli hetimet një ditë më parë dhe çoi dosjen në gjykatë, me akuzat për “trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Duke komentuar akuzat, pas 45 minutave në zyrën e prokurorëve të çështjes, Tahiri ironizoi se, pas Aldo Bares, ndoshta është i dyti që ngarkohet me këto akuza kaq të rënda.

“Akuza ishte më e rëndë se kaq, ishte trafik droge, krijim i grupit të strukturuar kriminal, vepra panel. Mendoj se pas Aldo Bares ndoshta jam i dyti me këtë akuzë. Nuk ka ndonjë surprizë të madhe. Prokuroria e komanduar siç e nisi e bitisi këtë histori. Pavarësisht nxitjes që kam nga brenda, nuk dua të merrem. Dua të respektoj drejtësinë. Do vazhdoj t’i shkoj drejtësisë deri në fund edhe duke besuar”, tha Tahiri.

Saimir Tahiri theksoi më tej se politika, krimi dhe drejtësia janë aq bashkë, sa ç’janë dhe Ati, biri dhe shpirti i shenjtë.

“Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë, që janë aq bashkë sa ç’është dhe Ati, biri dhe shpirti i shenjtë. Mua më intereson vetëm e vërteta. Di që ky është një proces i turpshëm, politik nga fillimi deri në fund, i komanduar. Unë jam mësuar me vështirësi dhe besoj se do ia dal edhe përballë kësaj. Biri dhe shpirti i shenjtë nuk janë ndarë ende dhe unë po e shoh”, deklaroi Tahiri.

Ndërkohë, ish-kreu i PS-së për Tiranën u pyet nëse disponon materiale kompromentuese për të shantazhuar zyrtarët e niveleve të larta. Tahiri zgjodhi të përgjigjej me një batutë, duke thënë se mjafton “dosja e zezë” e deputetit Spartak Braho, për të “ngritur në këmbë” Shqipërinë.

“Këtij vendi mjaft të vogël i mjafton Baba Taku me çantën e zezë, nuk ka nevojë edhe për Saimir Tahirin. Unë kam…vetëm të vërtetën time. Kaq më mjafton për gjithçka”, deklaroi ai.

Në fund shtoi edhe se nuk ka nevojë për mbështetjen e askujt, madje as atë të kryeministrit Edi Rama, por vetëm për të drejtën e tij. “Mua nuk më frikëson gjë përveç të vërtetës. Më intereson e vërteta dhe fuqia për t’i shkuar deri në fund”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA