Sektori i ndërtimit është në zgjerim të gjerë, të paktën referuar lejeve të ndërtimit. Instituti i Statistikave raportoi se vitin e kaluar, në të gjithë Shqipërinë u miratuan lejet e ndërtimit për 470 milionë euro investime për pallate, ndërtesa biznesi apo vepra inxhinierike.

Kjo është shifra më e lartë në vend që nga viti 2011, e krahasuar me 2017-n vlera e lejeve të miratuara vitin e kaluar është rritur me 20.1 për qind.

Sipas të dhënave të detajuara nga INSTAT, gati gjysma e kësaj shume, ose 235 milionë euro pritet të investohet në ndërtimin e pallateve të reja dhe godinave të banimit. Ndërtesat për qëllime tregtare apo ato për objekte publike kanë 150 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër janë leje për punime inxhinierike në vepra infrastrukturore, si rrugë, ura apo tunele.

Sipas INSTAT, bashkia që ka dhënë pjesën më të madhe të lejeve të ndërtimit është ajo e kryeqytetit. Vitin e kaluar në Tiranë janë dhënë lejë ndërtimi me një vlerë të parashikuar investimi prej 246 milionë euro, pra sa 52 për qind e fondit të dhënë në rang kombëtar.

Ky është viti i dytë rresht që sektori i ndërtimit është në zgjerim të fortë, pas një periudhe gati 5-vjeçare krize. Në vitet 2012-2016, vlera e lejeve të ndërtimit është luhatur nga 150 deri në 300 milionë euro. Por, pas vitit 2017 investimet në ndërtim duket se janë rikthyer sërish në trendin e viteve të para krizës, të udhëhequra nga Tirana.

Një tendencë kjo, e cila ka shkaktuar jo pak debate edhe publikisht për betonizimin e qyteteve, veçanërisht Tiranës dhe zonave bregdetare.

Top Channel