Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka konfirmuar se janë anuluar ftesat për 14 pjesëmarrës nga Kosova në 8 programe të Qendrës Europiane për Studime të Sigurisë “George Marshall”.
“Ambasada e SHBA-ve mund të konfirmojë se ftesat për 14 pjesëmarrësit nga Kosova në 8 programe që fillojnë në mars dhe zgjasin deri në shtator janë anuluar”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane për “Radion Europa e Lirë”.
Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” adreson sfidat e sigurisë ndërkombëtare dhe rajonale.
“Këto sfida do të përfshihen në këto seminare/programe”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës. Kjo masë pason anulimin e vizitës së gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Ioëas, Timothy Orr, në Kosovë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të pezullojë taksën ndaj mallrave serbe dhe ato boshnjake. Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e kundërshton heqjen e taksës. Ai deklaroi sërish të premten se ajo nuk do të hiqet, derisa Serbia të njohë Kosovën.
Taksa është bërë pengesë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi delegacioni serb ka anuluar pjesëmarrjen në këto bisedime për sa kohë tarifa të jetë në fuqi.
Top Channel