Zyrtare: Rudiger vazhdon në klubin “mbretëror”, rinovon me Real Madrid edhe për një tjetër sezon

16/06/2026 11:59

Mbrojtësi gjerman Antonio Rudiger ka rinovuar kontratën me Real Madrid, duke zgjatur bashkëpunimin e tij deri më 30 qershor 2027.

Konfirmimi i rinovimit vjen pas disa muajsh negociatash dhe spekulimesh, të cilat u ndërprenë për një periudhë për shkak të dëmtimit që lojtari pësoi në pjesën e përparme të kofshës së majtë, dëmtim që e mbajti për një kohë të gjatë jashtë fushave të lojës.

Pas zyrtarizimit të marrëveshjes, Rüdiger reagoi edhe në rrjetet sociale, ku shprehu kënaqësinë për vazhdimin e aventurës në Madrid.

“Vazhdimi i rrugëtimit tim me Real Madrid është një moment krenarie, por mbi të gjitha një angazhim për të ndryshuar gjërat së bashku me shokët e skuadrës. Po kalojmë një fazë të vështirë, por këtu është pikërisht vendi ku dua të jem”, shkroi mbrojtësi gjerman.

Ai shtoi se sfidat dhe dëmtimet e kanë motivuar edhe më shumë: “Disa mund të më kishin lënë pas pas dëmtimeve, por kjo më ka motivuar edhe më shumë. E dua sfidën dhe rritem në të. Besoj se jemi të bashkuar dhe do t’ia dalim së bashku. Hala Madrid!”

Rüdiger iu bashkua Real Madridit në vitin 2022 dhe është shndërruar në një nga lojtarët kyç të repartit defensiv dhe një figurë e rëndësishme në dhomën e zhveshjes.

Me këtë rinovim, ai siguron sezonin e tij të pestë me fanellën e bardhë, duke mbetur pjesë e projektit të klubit në vitet në vijim. Sipas raportimeve, ai do të vazhdojë të jetë nën urdhrat e trajnerit José Mourinho.

Top Channel