Gjykata Administrative çeli procesin për Gledion Rehovicën, i cili kërkon të kthehet në Parlament, të dëmshpërblehet për pagat që nuk ka marrë si deputet përgjatë 13 muajve mungesë, si dhe të dëmshpërblehet për dëmin moral që iu shkaktua nga dekriminalizimi.

Si palë e paditur është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që gjatë janarit të vitit 2018, me shumicë votash i hoqi mandatin dhe e la në duart e prokurorëve.

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun e Beratit përfaqësohej në gjykim nga avokati i tij.

Rehovica u vendos në shënjestrën e Prokurorisë një vit më parë, nën dyshimet se nuk kishte deklaruar të kaluarën e tij në formularët e dekriminalizimit, duke e penalizuar me heqje të mandatit dhe zëvendësimin në Parlament me Silva Cakën.

Por, pas veprimeve njëvjeçare të prokurorëve u konkludua se 41-vjeçari kishte pasur të drejtë në qëndrimin e tij dhe se ai nuk kishte fshehur të dhëna nga e djeshmja. Me këtë konkluzion, Prokuroria pushoi hetimet ndaj Gledion Rehovicës, për dyshimet se kishte falsifikuar dokumentet, një ciklon ky i nisur pas vitit 2015, me hyrjen në fuqi të ligjit të dekriminalizimit, që përfshiu edhe disa deputetë të tjerë.

“Ky verdikt ka qenë i paligjshëm, i padrejtë dhe me pasoja që duhet të korrigjohen. Këtë që pretenduam në KQZ, e që për ne edhe e provuam, tashmë e kanë certifikuar nga pikëpamja e vërtetësisë”, tha Ardian Visha, avokati mbrojtës i Rehovicës.

Në vendimin e pushimit të hetimeve përmendet shkresa e INTERPOL Romës, përcjellë autoriteteve shqiptare. Siç citohet në shkresë, INTERPOL pranon të ketë raportuar për një ngjarje në vitin 1999, por – sqarohet më tej, – vjedhja është raportuar nën identitetin Musa Kusa. Termi “raportim” shpjegohet nga italianët si verifikim i ngjarjes policore, por që nuk është pasuar me ndalim apo arrestim.

Top Channel