Në qendër të romanit është një shkrimtar amerikan, në ndjekje e sipër të një vepre që do t’i japë atij famë dhe sukses.

Nëpërmjet përshkrimit të botës së tij të brendshme, Joel Dicker shpjegon përse xhelozia shpesh herë është e dobishme duke na portretizuar dhe admirimin e tij për Amerikën. Botuesja që e ka sjellë atë në gjuhën shqipe, Arlinda Dudaj thotë për gazetaren Monika Stafa, në rubrikën Vitrina e Librit se për autorin kujtimet e fëmijërisë marrin rëndësi të cmueshme jo vetëm në rreshtimin e ngjarjeve por edhe në jetën e vërtetë të tij.

Deri në ditën e fundit të dramës, kishte dy familje Goldmanë. Goldmanët e Baltimorës dhe Goldmanët e Montklerit. Goldmanët e Montklerit, nga të cilët rrjedh Markus Goldman, autori i librit “E vërteta mbi çështjen Harry Quebert” janë një familje e shtresës së mesme, që banojnë në një shtëpi të vogël në Montkler, pranë Nju Xhersit. Goldmanët e Baltimorës janë një familje e pasur, që jeta u buzëqesh për gjithçka, jetojnë në një shtëpi luksoze në një periferi të pasur të Baltimorës, dhe të cilëve Markusi iu kushton një admirim të pakufi.

Në plot 430 faqe, Markus Goldman, protagonisti i shkëlqyer rrëfen në vetën e parë historinë e familjes së madhe Goldman – tashmë të ndarë në dy shtresa shoqërore: Goldmanët e pasur që jetojnë në Baltimorë dhe Goldmanët e mesëm të Montklerit, të cilëve u përket edhe Markusi. Ata janë tre djem: Markusi, Hileli, kushëriri i zgjuar dhe karizmatik dhe Vudi. Ngjarjet fillojnë të koklaviten kur në jetën e të rinjve hyn Aleksandra. Gjatë fëmijërisë së Markusit, çdo gjë është e mrekullueshme. Ai e adhuron xhaxhanë, kushërinjtë dhe jetën që ata bëjnë.

Tetë vjet pas dramës, Markusi vendos që kësaj radhe të tregojë historinë e familjes së tij, kur në shkurt të vitit 2012 ai largohet nga dimri njujorkez për në nxehtësinë tropikale të Boka Ratonit, në Florida, ku do t’i shtrohet punës për romanin e tij të ardhshëm. Në mëshirën e kujtimeve të rinisë së tij, Markusi i rikthehet jetës dhe fatit të Goldmanëve të Baltimorës dhe magjepsjes që ai provoi dikur për këtë familje të Amerikës së pasur, mes pushimeve në Majami, shtëpisë verore në Hamptons dhe çapkënllëqeve në shkollat private. Por vitet kalojnë dhe shkëlqimi i Baltimorëve shkërmoqet gjithmonë e më shumë me afrimin e dramës. Historia ndryshon me kalimin e viteve deri sa arrin pikën e saj kulmore duke përfunduar në tragjedi. Në këtë pikë Markusi fillon të reflektojë: ku gaboi banda e Goldmanëve? Çfarë ndodhi me të vërtetë me Goldmanët e Baltimorës?

“Libri i Baltimorëve” është një tregim i mirëfilltë i një sage familjare. Siç shprehet vetë autori: “Miqësia është një formë dashurie. Nëse e heqim aspektin erotik, është e vështirë të dallosh qartë ndjenjat e ndryshme që janë përzier në këtë roman”. Joel Dicker-i të përfshin në mënyrë të magjishme në rrëfimin e tij, të bën të ndiesh emocionet e karaktereve që ai skalit. Autori e lidh lexuesin aq fort me personazhet, saqë e bën të padurueshëm për të mësuar fatet e tyre. Për këtë arsye, ky rrëfim prekës, imponues, mbresëlënës të mban të mbërthyer deri në faqen e fundit. Romani “Libri i Baltimoreve” mban dhe shume dashuri brenda, pershkrime fantastike emocionale mbi te gjitha ai është i mbushur me histori njerëzore, përfundon botuesja Arlinda Dudaj, tonat dhe tuajat. Ndaj ky libër është dhe një sugjerim i Vitrinës sonë në këtë javë të re që nis.

Rreth autorit

Joel Dicker, autori i romanit “Libri i Baltimorëve” ka lindur në Gjenevë në vitin 1985. Romani i tij i parë “Ditët e fundit të baballarëve tanë” fitoi çmimin e shkrimtarëve të Gjenevës në vitin 2010. Pastaj, në vitin 2012 botoi “E vërteta mbi çështjen Harry Quebert”, që fitoi njëri pas tjetrit Çmimin e Vokacionit Bleustein-Blanchet, Çmimin e Madh të Romanit të Akademisë franceze dhe Çmimin e 25-të Goncourt të Gjimnazistëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA