Temperaturat e ulëta të këtyre ditëve kanë rritur numrin e pacientëve të prekur nga viroza apo gjendje gripale, siç preferojnë ta quajnë mjekët.

Por, ndryshe nga virozat e mëparshme, këto ditë qytetarët janë paraqitur te mjeku me simptoma të shtuara, që shpesh japin edhe komplikacione.

Megjithatë, për sa kohë që Instituti i Shëndetit Publik nuk deklaron se është izoluar virusi i gripit në vendin tonë, edhe pse e njëjta periudhë e viteve të mëparshme ka regjistruar kulmin e gripit, edhe mjekët e familjes hezitojnë ta thonë se ka raste me grip.

“Rastet kanë qenë më të shumta dhe këto të ditëve të fundit kanë qenë të ndryshme nga ato që kemi parë në tetor-nëntor. Gjithçka fillon me dhimbje fyti, që në ditët në vazhdim mund të shoqërohet me rrjedhje të hundëve, me kollë me sekrecione, e ndoshta edhe pak temperaturë”, tha Diana Hysi, mjeke familjeje në Qedrën Shëndetësore Nr. 1.

Përveç konsumimit të lëngjeve të frutave, qëndrimit brenda dhe mosfrekuentimit të ambienteve të mbipopulluara, mjekët sugjerojnë qytetarët të mos marrin mjekime vet, siç ndodh me antibiotikun në shumë raste.

“Viroza, ose gripi nëse është grip, ka tendencën për të shkaktuar komplikacione dhe infeksione dytësore disa ditë pasi fillon. Duke qenë se po shohim se po shfaq infeksione dytësore shpejt, duhet të paraqiten te mjeku për ta bërë vizitën, për të mos qëndruar gjatë në shtëpi vetëm me ato ilaçet që blejnë në farmaci”, këshilloi më tej Diana Hysi.

Të pyetur nga Top Channel, burime nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmojnë se ende nuk është izoluar virusi i gripit në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA