“Vjet e hodhëm nëpër kanale. Këtë vit na dëmtoi farishtja e keqe dhe thatësira”. Kështu thanë fermërët e Myzeqesë. Për farë jo cilësore të qepës ankohen edhe fermerët e Korçës.

Ata thonë që fara ishte e keqe dhe u prek shumë lehtë nga sëmundjet e ndryshme, ku u detyruan të bënin disa spërkatje me pesticide. Por, edhe këto të fundit, sipas fermerëve, nuk janë të kontrolluara dhe për këtë shkak sëmundjet që ranë mbi qepën ishin të vështira për t’u luftuar.

Fara e qepës e keqe dhe pesticidet jo cilësore sollën çmimin e lartë të qepës në treg, ku një kilogram ka shkuar 150 lekë të reja.

Fermeri Hysni Balla shprehet: “Në krahasim me vitet e para, vitet që po vazhdojnë janë gjithmonë në rënie. Për shembull, farat e qepës me qepujkë që vijnë nga jashtë i merr paradhënie tek grosisti. I marrin paradhënie tani, pastaj kur i sjellin, se është e kalbur, se është e dëmtuar, paratë ia kanë marrë dhe bie cilësia. Pastaj, kjo cilësi e dobët gjatë kohës do dhe ilaçe shumë. Moti këtë vit ishte i papërshtatshëm, i ra vruku dhe ilaçet ishin të pakontrolluara dhe sollën këtë krizë tani. Ky shtet e ka harruar bujkun, duke lënë mënjanë bujkun, ka lënë edhe konsumatorin”.

Ndryshe nga fermerët, drejtori i Entit Shtëtëror të Farërave, Vlash Tirana, thotë që problemi nuk qëndron tek cilësia e qepës, por te gabimi i fermerëve që qepujkën që vjen për konsum, e mbjellin në fushë. Sipas tij, deri më tani nuk ka pasur asnjë ankesë nga fermerët. Ndërkohë, vetëm Top Channel ka transmetuar tri ankesa.

“Fara në përgjithësi duhet të jetë e kontrolluar. Farat që hyjnë nga importi, zakonisht qepujka hyn nga importi, këto kontrollohen edhe nga AKU-ja dhe nuk kemi pasur asnjë rast që të futet ndonjë farë qepe e keqe. Gjithashtu, me qenë se thoni që ka ardhur si e tillë, unë nuk e di këtë. Ato mund të kenë ardhur edhe si qepujka për konsum ose industri dhe mund të jenë mbjellur dhe kanë dhënë kalbëzimin e tyre. Ose mund të jetë toka e mbjellë dy-tri herë çdo vit me qepujkë dhe krijon kalbëzimin e tyre”, shpjegon Tirana.

Top Channel