Periudha e krishtlindjeve shënon për Filipinet edhe pikun e kërkesave për derrkucët e pjekur në hell, të njohur si “lechoneros”. Zona e La Loma-s, në Manila është e famshme për prodhimin e atij që konsiderohet si ushqimi i preferuar i kombit, me mishin që piqet mbi prush shumë e rrotullohet, derisa të marrë një ngjyrë të bukur karameli.

“Dhjetori shënon kulmin e kërkesës për mish derri në hell, sidomos periudha 15 deri në 31. Ne e nisim pjekjen që pa gdhirë, e vazhdojmë gjithë ditën, ndryshe nuk arrijmë dot”, shprehet 44-vjeçari Arturo Ayapana.

Me shijen e derrit, Filipinet, vendi i pestë më i madh katolik i botës, u mësuan gjatë 400 viteve të kaluara si koloni spanjolle, por në kohën e festave, konsumi i tij e kalon kufirin.

Në La Loma, rrugët dhe trotuaret nxihen e bëhen të rrëshqitshme nga yndyra që kullon prej derrave të pjekur, të cilët kalohen në shkopa bambuje dhe gatuhen me shumë erëza.

I plote, derri i pjekur me peshë diku tek 15 kilogramë, shitet për rreth 150 dollarë. Kjo shumë është e papërballueshme për shumë në Filipine, ku gati një e katërta e vendit, jeton me më pak se 2 dollarë në ditë.

“Ne nuk ia lejojmë dot vetes të blejmë e të hamë një lechon komplet. Kënaqemi vetëm me disa copa të vogla”, shprehen ata. Pjesa e parë që konsumohet me të mbërritur derrkuci në shtëpi, është lëkura, një traditë e hershme kjo në vend.

Top Channel