Të premten, Kosova i hap rrugën krijimit të ushtrisë së saj, por Serbia kërcënon me reagim ushtarak. Një deklaratë e tillë përbën pikën kulmore të përshkallëzimit të ri të krizës mes dy vendeve, që nisi pas pengimit të bërë nga Beogradi, anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

“Me vendimin e Parlamentit për nisjen e procesit të themelimit të një ushtrie të Kosovës, politikanët atje po bëjnë praktikisht fakt të kryer një zgjidhje që kërkohej prej kohësh, por ndërmjetësuesit europianë ndajnë tjetër mendim”, shkruan Adelheid Feilcke e “Deutsche Welle”-s.

Analistja mendon se nuk duhet përjashtuar mundësia që zhvillimet e javëve të fundit të çojnë në ndarjen faktike të Kosovës, e në periudhë afatgjate, në krijimin e një federate të pjesës së mbetur të Kosovës me Shqipërinë.

“Analistët dhe politikanët e rajonit janë duke luajtur tashmë me këtë skenar”, thekson Feilcke.

Ky përfytyrim, sipas saj është traumatik për serbët. Kosova nuk ka ndonjë domethënie të madhe ekonomikisht për Serbinë, por rëndësia e saj konsiderohet më shumë në mënyrë emotive sesa racionale, duke e ankoruar fort Fushë Kosovën në kujtesën kolektive të serbëve, si bërthamën historike të Serbisë.

Edhe vringëllima e shpatave i përshtatet kësaj perspektive. Serbia kërcënon me luftë, nëse Kosova do të vendosë të premten krijimin e një ushtrie të vetën dhe do të dërgojë trupa në veri.

Edhe nëse në Kosovë janë dislokuar 4.000 ushtarë ndërkombëtarë të KFOR-it, që duhet të sigurojnë kufijtë dhe paqen, nuk përjashtohet mundësia e një aksioni të Serbisë për mbrojtjen e popullsisë serbe në veri.

Kështu të paktën kërcënon kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, ndërsa për Feilcken, me një veprim të tillë do të realizohej faktikisht spostimi i kufijve, ashtu siç janë duke diskutuar politikisht Vuçiç dhe Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA