Ndërtimet pa leje në vend, megjithë ashpërsimin e masave dhe arrestimin e personave përgjegjës, duket se janë kthyer në një fenomen që nuk ndalet.

Vetëm gjatë këtij viti, në Gjykatën e Tiranës janë gjykuar 160 çështje penale me objekt gjykimi ndërtimet e paligjshme. Kjo shifër është më e lartë se gjatë vitit 2017, kur gjykata ka shqyrtuar 140 çështje.

Nga shqyrtimi i rasteve që janë në gjykatë, bie në sy që numri më i lartë i çështjeve për ndërtimet e paligjshme ka të bëjë me rastet kur është ndërtuar në tokë publike, shtetërore apo në tokën e dikujt tjetër. Pra, në një tokë të zënë në mënyrë të paligjshme.

Një tjetër specifikë është se thuajse në të gjitha rastet e ndërtimeve të paligjshme, autorët nuk kanë patur për qëllime përfitimi të tjera, por objektet e paligjshme janë ndërtuar për qëllime strehimi.

Një tjetër kategori e rasteve të ndërtimeve pa leje janë edhe ato kur personat përgjegjës nuk kanë respektuar projektet e miratuara ose kanë ndërtuar në bazë të projekteve të shfuqizuara. Ndërkohë që rastet e ndërtimeve pa leje në tokën në pronësi, janë vetëm dy në totalin prej 160 çështjesh të ndërtimeve të paligjshme që janë gjykuar dhe po gjykohen në Gjykatën e Tiranës.

Përveç ndekjes penale dhe dënimeve që variojnë nga gjobë deri në 8 vite burgim, ndërtimet e paligjshme sjellin nga pas edhe një sërë problemesh sociale dhe shpesh janë bërë shkas edhe për konflikte të rënda.

Top Channel