‘Nëse do të varej nga ai, do të na kishte ndihmuar me Iranin’/ Trump lavdëron Charles, godet Starmerin

30/04/2026 16:36

Deklarata të forta nga Donald Trump pritet të shkaktojnë reagime në qeverinë britanike, pasi ai sugjeroi se Mbreti Charles III “ndoshta do ta kishte ndihmuar” SHBA-në për çështjen e Iranit, nëse do të kishte pasur rol në përcaktimin e qëndrimit britanik.

Komentet u bënë gjatë vizitës së monarkut britanik në Shtetet e Bashkuara dhe vijnë në një moment delikat, duke qenë se roli i mbretit kërkon neutralitet të plotë politik. Deklaratat e Trump mund të vendosin në siklet institucionin e monarkisë, i cili tradicionalisht shmang çdo përfshirje në debate politike.
I pyetur nëse vizita e Mbretit kishte ndikuar në përmirësimin e marrëdhënieve me kryeministrin britanik, Trump e cilësoi Charles III si “të shkëlqyer” dhe “një mik shumë të mirë”, por nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë së Londrës.
“Nëse do të varej nga ai, do të na kishte ndihmuar me Iranin”, u shpreh Trump, duke shtuar se mbreti do të mbështeste edhe propozimet amerikane për Ukrainën, ndërsa nënvizoi mosmarrëveshjet me vendet evropiane.

Trump ripërsëriti sulmet ndaj kryeministrit Keir Starmer, duke pretenduar se kishte kërkuar mbështetje britanike në konflikt, por nuk kishte marrë përgjigje pozitive.
“I thashë a dëshiron të dërgosh ndihmë? Dhe ai tha se do ta dërgonte pasi të mbarojë lufta. Kjo nuk është mirë”, deklaroi ai. Më herët, Trump e ka krahasuar Starmerin me Winston Churchill, duke theksuar se “nuk është në të njëjtin nivel” dhe se marrëdhënia speciale SHBA–Britani “nuk është më ajo që ishte”.
Nga ana tjetër, Keir Starmer ka refuzuar vazhdimisht përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një konflikt me Iranin, duke argumentuar se një hap i tillë nuk i shërben interesave kombëtare.
Ndërkohë, gjatë një fjalimi në SHBA, Mbreti Charles III theksoi rëndësinë e ruajtjes së aleancës transatlantike, duke bërë thirrje për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe shmangien e politikave izolacioniste.
Deklaratat e fundit të Trump pritet të nxisin debate të reja mbi marrëdhëniet SHBA–Britani dhe rolin e figurave institucionale në çështjet e politikës së jashtme.

Top Channel