Pak orë para skadimit të afatit, avokatja dhe mjekja e QSUT kërkojnë të bëhen pjesë e garës për kreun e PD, Evi Kokalari: Mua më refuzuan

30/04/2026 10:41

Teksa mbeten më pak se 12 orë nga përfundimi i afatit për t’u bërë pjesë e garës për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, pranë selisë blu sot janë paraqitur Evi Kokalari, mjekja e QSUT Mereme Sela dhe avokatja Alesia Balliu.

Kokalari ka deklaruar se ka dorëzuar dokumentacionin për t’u bërë pjesë e garës, por nuk ia kanë pranuar.

“Ne orën 9:30 AM, avokati im në Tiranë ka shkuar në selinë e PD-së për të dorëzuar dosjen e aplikimit dhe roja nuk e ka lënë të hyjë brenda, por i ka komunikuar, pasi ka folur me dikë brenda, që: “nuk pranojmë zarfe.” Ndërkohë, avokati ua ka bërë të qartë që është aplikimi im. Do ta nisim me DHL dhe do t’ua dërgojmë atyre që duhet, via text dhe email përpara afatit të skadencës. Clowns!!!”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë gazetarja e Top Channel Elda Menga bën me dije se Sela është futur në zyrë për procedurën, ndërsa pritet të konfirmohet nëse i është pranuar apo jo kandidatura. Po ashtu dokumentet i ka dorëzuar edhe Balliu, përmes një personi të autorizuar.

Deri më tani, i vetmi në garë është Sali Berisha.

 

Top Channel