Pas porosive që i dha bluve në Korçë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë “zbarkon” në Elbasan, zbulohet çfarë u diskutua gjatë takimit

30/04/2026 15:35

Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, pas takimit me blutë e Korçës ka shkuar në Elbasan. 

Drejtori i Policisë së Shtetit vijon takimet në terren, ndalesë në Elbasan për forcimin e sigurisë dhe goditjen e paligjshmërisë.

Pas vizitës në Korçë, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, është ndalur në qytetin e Elbasan, ku ka zhvilluar një takim pune me drejtuesit vendorë të policisë.

Gjatë takimeve, ai theksoi së në të dyja qarqet është bërë punë e pamjaftueshme në drejtim të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, shitjes së lëndëve narkotike dhe kapjes së shtetasve në kërkim.

Ai kërkoi angazhim maksimal për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, krimeve mjedisore, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, duke siguruar informacion cilësor, nga inteligjenca kriminale.

Hita theksoi nevojën për rritjen e performancës së shërbimit policor në të gjitha nivelet, aplikim të teknologjisë gjatë përmbushjes së detyrave të Policisë Rrugore, në zbatim të përpiktë të porosive për mosndalim të automjeteve, pa shkak, në akset kryesore nacionale, ndëshkim të parkimeve të gabuara që bëhen burim aksidenti ose pengojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve.

Gjithashtu, Drejtori kërkoi reagim në kohë dhe profesional të shërbimeve të Policisë kur ka ngjarje apo kur kërkohet nga qytetarët, ndjekje në dinamikë të çdo shqetësimi të ngritur nga qytetarët dhe angazhim maksimal, duke filluar nga Shefi i Komisariatit deri te Patrullat e Përgjithshme, për garantimin e sigurisë në shkolla.

Po gjatë takimit, drejtori Skënder Hita theksoi se është bërë një punë e pamjaftueshme nga ana e strukturave të Policisë Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare në tërësi, si dhe goditjen e trafiqeve dhe të ndihmës për emigrantët e paligjshëm që tentojnë të përdorin territorin e Shqipërisë, si vend transit drejt shteteve të Bashkimit Europian, në veçanti.

Gjithashtu, kërkoi rritjen e performancës së shërbimit në pikat e kalimit kufitar, pasi ato janë kontakti i parë i qytetarëve dhe i turistëve, me vendin tonë.

Top Channel