Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se tri projektligjet të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, do të votohen me 14 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë në seancën e Kuvendit të Kosovës duke vlerësuar se “ligjet dhe ushtria do të kalojnë në mënyrë të dinjitetshme dhe Kosova do të ec në rrugën e saj”.

“Nuk kemi arritur që çdo qeverie anëtare të NATO-s, t’ua shpjegojmë të vërtetën e transformimit të FSK-së. Por, ne i kemi plotësuar ato kushte bazike të sqarimeve për të ecur përpara me ushtrinë tonë, pra i kemi plotësuar. Me këtë jo vetëm që nuk do të vihet në rrezik e ardhmja jonë me NATO-n, por përkundrazi. Ne nga ata që absorbojmë siguri, në të ardhmen do të ofrojmë siguri”, u shpreh ai.

Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, transformimi i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s.

Komentet e Haradinajt pasojnë deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili të mërkurën e paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.

Sipas Stoltenbergut, ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat”. Këto deklarata, kreu i Aleancës Veriatlantike i bëri në fund të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku është diskutuar për gjendjen në Ballkanin Perëndimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA