Pas anëtarësimit në CEFTA dhe falë marrëveshjeve dypalëshe të tregtisë së lirë, Shqipëria dhe Kosova kanë hequr thuajse të gjitha taksat shtetërore në doganë.

Por, qeveritë në të dy anët e kufirit i kanë zëvendësuar ato me taksa private që vijnë nga koncesionet.

“Është taksa e rrugës, është skanimi, është terminali doganor në Kosovë”, tha Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë.

Krijimi i një tregu të përbashkët kanë qenë premtim thuajse i çdo qeverie në Prishtinë dhe Tiranë. Por, biznesi thotë se në terren gjerat kanë ndryshuar shumë pak.

“Ne si klube prodhuese, si dhoma tregtie dhe si sipërmarrje në tërësi kemi kërkuar një listë prej 12 pikash që ja kemi bërë prezent edhe qeverisë së Kosovës edhe qeverisë së Shqipërisë. Dhe nga këto 12 pika është marrë parasysh vetëm 1, kjo e certifikatave santiare. Ndërkohë, që pjesa tjetër ngelet e patrajtuar”, u shpreh Jaka.

Pengesat tarifore dhe ato burokratike e penalizojnë jo pak tregtinë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Por arsyeja kryesore se pse dy ekonomitë nuk kanë tregti të vrullshme mes tyre, është një tjetër; mungesa e prodhimit.

“As Shqipëria as Kosova nuk performojnë dot në sektorët e prodhimit”, thotë Jaka.

Ndërsa Ilir Ciko, ekspert i tregtisë ndërkombëtare thotë: “Arsyeja e dytë është se në shumë drejtime për sa i përket tregtisë në mallra struktura e ekonomisë së Shqipërisë me atë të Kosovës është e ngjashme. Pra nuk kanë shumë se çfarë ti ofrojnë njëra tjetrës për të lejuar shkëmbim”.

Por, biznesi thotë se dobësive strukturore të dy ekonomive, nuk ka pse i shtohen pengesat artificiale.

“Mos të bëhet më shumë se sa bëjnë vendet e BE-së me njëra-tjetrën, pra thjesht trau i doganës të mos ekzistojë”, thotë Nikolin Jaka.

Si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri politikanët e kanë përdorur shpesh kartën e patriotizmit, përfshirë atë ekonomik, për qëllimet e tyre elektorale. Por, në të vërtetë, Shqipëria dhe Kosova, janë ende shumë larg e të qenit një treg i përbashkët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA