Marrëveshja e tërheqjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian është miratuar nga udhëheqësit e BE-së. 27 krerët e shteteve anëtare dhanë mbështetjen e tyre, pas më pak se një ore diskutimesh në Bruksel.
Donald Tusk sinjalizoi në fakt që të shtunën se marrëveshja do të miratohej, pasi Spanja tërhoqi në moment të fundit kërcënimin për vendosjen e vetos, për shkak të shqetësimeve mbi Gjibraltarin.
Tani marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti britanik, ku shumë deputetë janë kundër. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ishte i pari që e dha lajmin për nënshkrimin e marrëveshjes, përmes një postimi në “Twitter”.
Marrëveshja për “Brexit” miratohet nga krerët e BE-së në Bruksel
Sidoqoftë, lajmi i nënshkrimit të marrëveshjes, sipas presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, është në fakt një tragjedi.
“Është një ditë e trishtuar të shohësh një vend si Britania e Madhe të dalë nga BE. Nuk është një moment gëzimi dhe as feste. Është një ditë e trishtuar, një tragjedi”, tha Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Europian.
Parlamenti britanik pritet ta votojë marrëveshjen në fillim të dhjetorit, por miratimi i saj nuk është i garantuar, me laburistë, deputetë të tjerë e madje edhe konservatorë, që pritet të votojnë kundër.
Kryeministrja Theresa May ka bërë apel publik për mbështetjen e marrëveshjes, duke argumentuar se ajo është më e mira që mund të arrihej dhe respekton rezultatin e referendumit të “Brexit”-it.
Top Channel