Linjat ajrore turke Turkish Airlines, AJet dhe Pegasus kanë pezulluar fluturimet për në dhe nga Irani që prej së hënës, në një zhvillim që vjen pas hyrjes në fuqi të sanksioneve të reja të SHBA-së ndaj sektorit të aviacionit iranian.
Faqet zyrtare të Turkish Airlines dhe AJet nuk shfaqin fluturime drejt Iranit deri në mars të vitit 2027, ndërsa Pegasus i ka hequr fluturimet drejt këtij vendi nga sistemi i rezervimeve për një periudhë të pacaktuar.
Një zëdhënës i Turkish Airlines ka deklaruar se nuk ka garanci që fluturimet do të rifillojnë pas marsit 2027.
Sanksionet amerikane prekin edhe avionët Airbus, krahas kufizimeve të pritshme për avionët e prodhuar në SHBA, si Boeing. Sipas masave të reja, përdorimi i avionëve Airbus për fluturime drejt Iranit mund të ndikohet pasi këta avionë përmbajnë komponentë të prodhuar në SHBA.
Ndërkohë, që prej së hënës, Mahan Air është e vetmja linjë ajrore iraniane që nuk lejohet të fluturojë drejt Turqisë, për shkak të rrezikut që paraqesin sanksionet amerikane. Linjat e tjera ajrore iraniane mund të vazhdojnë për momentin itineraret mes Turqisë dhe Iranit.
Pezullimi i fluturimeve vjen në një kohë kur Turqia dhe Irani kanë ruajtur marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike, tregtare dhe energjetike. Megjithatë, Ankaraja duket se po ndërmerr masa në përputhje me rritjen e presionit ekonomik të SHBA-së ndaj Teheranit.
Fundjavën e kaluar, Turqia revokoi licencën bankare të Bankës Mellat të Iranit, e cila kishte operuar në vend për dekada.
Ndërkohë, rregullatori bankar turk mori javën e kaluar kontrollin e Golden Global Investment Bank, pasi SHBA-ja vendosi sanksione ndaj bankës, duke e akuzuar për kanalizimin e fondeve drejt qeverisë iraniane.
Top Channel