Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka zhvilluar takime me përfaqësues të Parlamentit të Belgjikës, konkretisht kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Siegrfried Bracke dhe kreun e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, Dirk van der Maelen.
Në qendër të bisedimeve ka qenë agjenda europiane e Kosovës, e veçanërisht nevoja për marrjen e vendimit brenda këtij viti për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë. Veseli konfirmoi sërish se Kosova i ka përmbushur kriteret e përcaktuara, ndaj dhe qytetarët meritojnë të lëvizin lirshëm në zonën “Schengen”, sikurse të gjithë qytetarët europianë.
Po ashtu, Veseli theksoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Belgjikës në të gjitha sferat, me theks të veçantë në atë të ekonomisë.
Siegrfried Bracke dhe Dirk van der Maelen konfirmuan vazhdimin e mbështetjes së shtetit të tyre për Kosovën, si në rrafshin ndërkombëtar, ashtu edhe në zhvillimet e brendshme.
Lidhur me liberalizimin e vizave, kreu i Kuvendit tha se vet përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini këmbëngulte se do t’u qëndrohet në krah qytetarëve të Kosovës lidhur me këtë proces.
“Sa i përket liberalizimit të vizave, vendet që ne kemi vizituar, në shumicën e rasteve kanë vlerësim shumë pozitiv. Janë pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, të cilat janë problematike në arritjen e konsensusit brenda Këshillit të Ministrave. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë shprehur qëndrimin pro liberalizimit të vizave. Në të gjitha takimet kam kërkuar që kjo çështje të hidhet në votim, ngase i kemi plotësuar të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të zvarritet”, tha kryeparlamentari Veseli.
Top Channel